Ish-kryeministri Italian D’Alema tregoi në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania momentet nga vendimi i vendeve të NATO për të ndërhyrë në Serbi pas konfliktit të përgjakshëm që kishte shkaktuar mijëra viktima të pafajshme në Kosovë.

- Advertisement -

Ai kujtoi se disa ditë përpara se të nisnin bombardimet kishte shkuar në pikën e kufirit të Kukësit ku kishte parë të mbërrinin refugjatët nga Kosova dhe e kishte kuptuar menjëherë se çfarë po ndodhte.

“Kujtimi im fillon ndonjë ditë më përpara, sepse disa ditë më përpara atij 24 marsi, besoj se ishte 15 apo 16, ishte Pashkë, ishin ditët para Pashkës, unë shkova në pikën e kufirit të Kukësit dhe pashë të mbërrinin refugjatët nga Kosova. Një lumë automjetesh dhe njerëzish që arratiseshin nga Kosova. Dhe i takova këta njerëz dhe fola me ta, dhe e kuptova menjëherë se çfarë po ndodhte dhe Italia po organizonte ndihmat për refugjatët, së bashku me shqiptarët. Unë shkova dhe i takova këta operatorë italianë, ushtarakë, civilë, të cilët së bashku me shqiptarët po u vinin në ndihmë këtyre refugjatëve, lista e refugjatëve dhe rrëfimet e refugjatëve më bindën se duhej bërë diçka, se duhej vepruar. Unë kisha ngurruar shumë, sepse ideja e një ndërhyrjeje ushtarake më dukej negative, edhe për arsye kulturore, unë nuk jam në favor të luftës, jam kundër saj, prandaj. Por e kuptova se duhej vepruar, ndaj edhe kur filloi ndërhyrja ushtarake, natyrisht, unë isha i mendimit se Italia duhej të luante rolin e saj”, tha ish-kryeministri italian.

Ish-kryeministri kujtoi se vendimi për të bombarduar Beogradin kishte qenë i vështirë dhe shumë vende evropiane përfshirë Italinë ishin në favor të sulmeve ajrore kundër trupave serbe në Kosovë. Për këtë pikë pati një mospajtim me amerikanët, aq sa është e vërtetë që bombardimet në Beograd u kryen jo me asetet e NATO-s, kujton D’Alema.

 

“Por ka pasur disa momente të vështira, në të vërtetë, sigurisht ne patëm edhe një moment mospajtimi, sepse as ne, as Gjermania, kancelari Schroeder, ne nuk ishim dakord me bombardimet në qytetet e Serbisë. Ne ishim në favor të sulmeve ajrore kundër trupave serbe në Kosovë dhe për këtë pikë patëm një mospajtim me amerikanët, aq sa është e vërtetë që bombardimet në Beograd u kryen jo me asetet e NATO-s, por me avionë dhe raketa amerikane dhe angleze, sepse brenda NATO-s, disa vende, Italia, Gjermania, nuk ishin dakord me këtë. Edhe për shkak të rrezikut të lartë të viktimave civile, që në fakt pastaj pati. Një tjetër pikë, një moment serioz diskutimesh, qe edhe mbasi kjo fushatë tashmë po zhvillohej prej disa javësh, nuk po jepte rezultate, kështu që u zhvillua një mbledhje në Uashington, gjatë mbledhjes së nivelit të lartë m rastin e 50-vjetorit të NATO-s, mbas rreth 70 ditësh, le të themi. Atje u zhvillua një diskutim mjaft i vështirë, sepse disa propozonin një ndërhyrje të trupave nga toka, me një fjalë, një pushtim, që vështirësisht mund të kryhej vetëm në Kosovë, pasi mendohej në fakt që të zhvillohej një luftë vetëm kundër Serbisë. Ne u kundërvumë, francezët u kundërvunë, gjermanët u kundërvunë, ndërsa Klintoni e përfundoi duke thënë “do të bëjmë vetëm atë gjë, për të cilën jemi që të gjithë dakord”, kështu që pati një ndalesë, një nismë që unë mendoj se do të kishte qenë katastrofike. Sepse ideja e pushtimit të Serbisë, le të themi, për të bërë në Europë atë që amerikanët bënë në Irak, do të kishte qenë një ide katastrofike. Ne e thamë që në fillim, se ushtarakët tanë mund të futeshin në Kosovë vetëm nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Aq e vërtetë është kjo, edhe pse nuk kujtohet, por unë dua ta kujtoj, sepse është e vërteta absolute, se kontingjenti që u fut në Kosovë nuk qe i NATO-s, por qe një kontingjent i Kombeve të Bashkuara”, tha ai.