Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli është në negociata për t’u transferuar tek “Napoli”, ndërsa për shërbimet e tij ka shfaqur interes edhe “Roma.

Serxhio Mezi, agjenti i tij, në një prononcim për median “Radio Station 1”, bën të ditur se për shërbimet e mbrojtësit kuqezi kanë shprehur interes shumë skuadra, por “Napoli”, kampione në fuqi e kampionatit italian të futbollit është ajo që ka më shumë mundësi të jetë skuadra e radhës ku do të luaj mbrojtësi 27-vjeçar.

“Kemi disa kohë që po negociojmë me “Napolin. Drejtori Meluso e njeh shumë mirë futbollistin dhe kemi disa kohë që bashkëpunojmë me “Napolin”. Ismajli dëshiron të bëjë një hap të madh në karrierën e tij dhe kalimi te Napoli do të ishte diçka e madhe. Me “Napolin” kemi biseduar, “Roma” nga ana tjetër ka shfaqur interes. Ende nuk e di se çfarë do të bëjë me trajnerin; megjithatë asgjë nuk është përfunduar”, tha Mezi.

27-vjeçari luan për “Empolin” dhe ka një kontratë që i skadon në vitin 2025. Vlera e kartonit të tij është 3 milionë euro. Nëse futbollisti nuk transferohet këtë verë, në janarin e ardhshëm ai mund të largohet me kosto 0 nga klubi toskan./ata