Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, në një intervistë televizive, tha sot se me drafligjin e ri të publikuar për konsultim publik, është parashikuar që maturantët të cilët aplikojnë për të qenë pjesë e Akademisë së Sigurisë, të përfitojnë gradën nënkomisar, duke marrë rolin e drejtuesit të nivelit të parë.

Sipas Hodajt, ndryshimi i ligjit të Policisë së Shtetit, fokusin e ka tek qytetari dhe rinovimi i strukturës së forcave të rendit dhe sigurisë.

“Është një draft i mirë, që vjen në përgjigje e nevojës së qytetarëve për rendin sigurinë, mbojtjen e të drejtave të tyre dhe për zhvillimin e mëtejshëm të situatës. Nëse unë do t’i vendosja në rend për sa i përket rëndësisë që kanë, e para, në qendër të ligjit vendosen qytetarët dhe nevojat e tyre. Në fokus në vendin e dytë janë punonjësit e Policisë së Shtetit, format e rekrutimit dhe më pas shkojmë tek organizimi, dhe vijon më tej, deri tek përzgjedhja e drejtuesve”, tha Hodaj.

Ai rreshtoi dhe disa prej risive që ka projektligji i ri. “Risi është ulja e kohës së shoqërimit në Policinë e Shtetit nga 10-të në 6 orë tashmë, krahas një serie të tjera të drejtash që u takojnë qytetarëve. Pika e dytë, është që ligji ka dhe një risi për sa i përket punonjësve të shtetit. Duke nisur nga rekrutimi, duke hapur mundësinë për të rekrutuar forca të reja, nga jeta civile nga punonjës të ri të Policisë së Shtetit”, tha Hodaj.

“Risi tjetër është që në pr/ligj dhe që do të marri mbështetjen e të gjithëve, është mundësi ae maturantëve që të konkurojnë direktë në akademinë e sigurisë, duke fituar gradën nënkomisar. Është grada e parë e nivelit drejtues. Është një mundësi që të marrim nga maturat shtetërore më të mirët e mundshëm, që ata të shërbejnë si nivel i parë drejtues”, tha Hodaj.

“Risa tjetër e ligjit në organizimin e Policisë së Shtetit, është se të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke nisur nga Drejtori i përgjithshëm, tek shefi i komisariatit do t’i nënshtrohen konkursit. Kjo do i shërbejë meritokracisë. Patjetër, duhet të kesh një seri gradash, një seri kriteresh të cilat duhet të plotësohen dhe do t’i nënshtrohen një procedure konkurruese. Komisioni i Vlerësimit, do të jetë një krijesë e përbërë nga punonjësit e Policisë së Shtetit, ku mund të ketë dhe anëtarë të jashtëm në cilësinë e vëzhguesit. Në këtë mënyrë rritet transparenca dhe meritokracia. Kemi arritur në konkluzionin që kjo është forma më e mirë”, tha Hodaj

Po ashtu, Hodaj kujtoi mundësinë që punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë të paktën 35 vite në detyrë të largohen nga shërbimi duke përfituar një pjesë të pagës deri në daljen në pension.

“Deri tani, ligji ekzistues e jepte këtë mundësi, por e delegonte tek një ligj tjetër që ishte i parealizueshëm praktikisht. Kjo është një mundësi, jo detyrim dhe tani është brenda të njëjtit ligj dhe i aplikueshëm nga punonjësi i Policisë. Të gjithë do të kenë mundësi ta përfitojnë këtë mundësi, nëse duan të ndërrojnë zanatin, apo t’i dedikohen diçkaje tjetër. Por askush nuk do të detyrohet. Për sa i takon shifrës, është duke u diskutuar me Ministrinë e Financave. Qëllimi është rinovimi dhe ulja e moshës mesatare të Policisë së Shtetit”, tha Hodaj.

Në pr/ligj garantohet dhe mbështetja psikologjike. “Ky është një komponent i rëndësishëm. Do ketë një mbështetje të vazhdueshme psikologjike, duke rekrutuar dhe psikolog për këtë qëllim. Bëhet fjalë për punonjës që janë në një stres shumë herë më të madh. Sot kemi psikolog, i kemi në shërbim të qytetarëve, tani do të jenë edhe në shërbim të policëve”, vijon Hodaj.

Zëvendësministri i Brendshëm tha se inteligjenca artificiale do të jetë një komponent i rëndësishëm në rritjen e efikasitetit të Policisë së Shtetit.

“Tre shtyllat kryesore të funksionimit të Policisë së Shtetit janë; Parandalimi, rendi e siguria publike dhe menaxhimi i kufirit. Teknologjia ka treguar diçka, pasi është investuar shumë në gjashtë vitet e fundit, duke larguar punonjësit e Policisë nga rruga. Një pjesë e madhe e burimeve njerëzore që ne i harxhonim në mënyrë stacionare në rrugët e qyteteve dhe akseve rrugore ndërurbane, përmes teknologjisë i largojmë këto burime nga rruga, Inteligjenca artificiale na ndihmon për të mënjanuar dhe përfituar më shumë  kohë në analizimin e pamjeve filmike, apo elementeve të tjera për zbardhjen e ngjarjeve, parandalimin e tyre. Është një gjë që e kemi vendosur theks në ligj, pasi duam ta zhvillojmë”, tha Hodaj./ata