Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një dalje për mediat këtë të mërkurë, ka komentuar edhe ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Bashkinë e Patosit, ku një punonjës i ndërmarrjes komunale denoncoi në polici shefin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij pasi nuk kishte plotësuar formularin me emrat e familjarëve të tij si vota të sigurta për kryetaren socialiste të bashkisë.

 

Berisha u shpreh se ky rast tregon përdorimin e makinerisë shtetërore si makineri dhune, terrori ndaj qytetarëve dhe votës së tyre të lirë.

 

“Sulmi ndaj punonjësit të bashkisë Patos, Bato Dalipaj, është një ngjarje e rëndë. Është dëshmi tronditëse e përdorimit të makinerisë shtetërore si makineri dhune, terrori ndaj qytetarëve dhe votës së tyre të lirë. jam këtu për t’i shprehu nderimin më të thellë, solidaritetin më të madh, zotit Dalipaj, një hero i votës së lirë për qëndrese e tij ndaj gangsterëve.

Garantoj Dalipajn se akti i tij është i madh. Shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, që të denoncojnë në portalet e transparencës. I garantoj qytetarët se opozita shqiptare dhe PD do të bëjnë gjithçka që këta kriminelë elektoralë të marrin ndëshkimin e merituar. Njëkohësisht i ftoj të mbajnë parasysh se entuziazmi dhe elektrizimi i krijuar nga Primaret, ka kallur tmerr shpirtëror, si te kandidatët e bodrumit, e mafias, të Edi Ramës, ashtu dhe te vetë kryeministri.”, tha Berisha.