Viti 2023, ka regjistruar vlera rekord sa i takon investimeve të huaja. Banka e Shqipërisë raporton se vjet investimet e huaja arritën në afro 1.5 miliardë euro, një shifër rekord dhe që është 120 milionë euro më e lartë se e vitit 2022.
Vëmendja më e madhe e investitorëve është përqendruar në pasuri të paluajtshme, i cili është kthyer në fushën që po ndikon më shumë edhe në rritjen ekonomike të vendit. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit investimet e huaja arritën në vlerën 402 milionë euro, nga 388 milionë euro që ishin në te njëjtin tremujor të vitit 2022.
“Gjatë tremujorit të katërt 2023, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme (në masën 26%), sektorin e ndërmjetësimit financiar (në masën 17%), e hidrokarbureve (në masën 16%), e energjetikës (në masën 10%), si dhe komunikacionit (në masën 4%)”, thotë Banka e Shqipërisë.
Sa i takon totalit të vitit 2023, Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri. Referuar të dhënave, vjet kompanitë holandeze kanë investuar në vend 300 milionë euro, ndjekur nga ato italiane me 202 milionë euro dhe kompanitë turke 179 milionë euro.
Aktualisht qeveria po punon një kuadër të ri ligjor për investimet strategjike dhe ato të huaja, me qëllim që të jetë vetëm një ligj në fuqi që nxit investitorët të vijnë në vend dhe të fokusohen në sektorë të ndryshëm
INVESTIMET E HUAJAViti 2022 1,372 mln euroViti 2023 1,492 mln euroRritja +120 mln euroINVESTIMET SIPAS SHTETEVE NË 2023Holanda 300 mln euroItalia 202 mln euroTurqia 179 mln euro