“Aftësi për Pjesëmarrje në Tregun e Punës dhe Profesionet e së Ardhmes” titullohet konferenca dyditore kombëtare për arsimin dhe formimin profesional (AFP) 2024 , që po zhvillohet në Tiranë.

Në konferencë merr pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, etj.

Në fjalën e saj zv.ministrja Manjani theksoi se “konferenca nënvizon nevojën kritike për përmirësime strategjike në fushën e arsimit dhe formimit profesional me qëllim ndërtimin e një fuqie punëtore të orientuar nga e ardhmja për t’i dhënë shtysë ekonomisë shqiptare, duke synuar konkretisht të nxisë angazhimet dhe diskutimet në nivel teknik ndërmjet grupeve të interesit rreth qasjeve më optimale mbi mënyrën se si sistemi i arsimit dhe formimit profesional mund t’i shërbejë më mirë nevojave dhe kërkesave të tregut të punës për aftësi”.

Më tej Manjani u shpreh se “lëmi i dinamikave demografike dhe ndryshimet e shpejta të teknologjisë përfshirë së fundi edhe inteligjencën artificiale ka ndikuar përkatësisht në mungesën e fuqisë punëtore dhe në humbjen e një pjese të aftësive të fuqisë punëtore duke sjellë nevojën për riaftësimin e vazhdueshëm të saj”.

“Zhvillimi i ekonomisë së Shqipërisë sot sfidohet nga nevoja për t’u larguar nga rritja me fokus në profesionet që kërkojnë pak aftësi dhe e kanë të ulët vlerën e shtuar në ekonomi drejt atyre sektorëve që kërkojnë fuqi punëtore më të kualifikuar dhe që kanë një produktivitet me të lartë në ekonomi. Kjo gjë kërkon investime të qëndrueshme dhe sistem arsimor e formues të një cilësie të lartë që nxisin kreativitetin dhe mbështesin inovacionin, por në të njëjtën kohë mund të riaplikohen sipas nevojave të ekonomisë, strukturës organizative apo edhe modeleve të ndryshme të biznesit”, nënvizoi Manjani.

Zv.ministrja Manjani u shpreh se “duke marrë shkas nga këto zhvillime dhe këto sfida kjo konferencë bën bashkë aktorë të sektorit publik dhe privat, bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë nxënës e mësues të arsimit profesional, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të ndryshëm për të eksploruar dhe diskutuar se si sistemi i arsimit dhe formimit profesional mund të kontribuojë në axhendën e kapitalit njerëzor për të identifikuar qasje inovative të cilat janë në harmoni me tendencat demografike me përparimet teknologjike, proceset e digjitalizimit dhe nevojat në zhvillim e sipër të tregjeve të punës dhe sektorëve ekonomikë prioritarë”.

Konferenca dyditore ka për qëllim që të eksplorojë ato qasje inovative të cilat janë në harmoni me tendencat demografike, përparimet teknologjike, digjitalizimin dhe nevojat në zhvillim e sipër të tregjeve të punës dhe të sektorëve ekonomikë prioritarë.

Konferenca organizohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili orienton dhe mbështet përpjekjet strategjike të Qeverisë Shqiptare në pajtim me prioritetet e BE-së në procesin e integrimit, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si një parter i kahershëm për konsolidimin dhe transformimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri dhe UNDP-në, si një katalizator i përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare në proceset e reformimit të politikave për zhvillimin e aftësive./ata