“Konferenca Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) 2024 – “Aftësi për Pjesëmarrje në Tregun e Punës dhe Profesionet e së Ardhmes”, që nis punimet sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm të linjës, është një moment i mirë për të çuar përpara politikat e punësimit dhe aftësive profesionale.
Kështu u shpreh Monika Merino, përfaqësuesja e Përhershme e PNUD në Shqipëri teksa theksoi se “Shqipëria është një aktor shumë aktiv me politikat e ndërhyrjet që kanë të bëjnë me nxitjen ekonomike duke synuar që askush të mos mbetet pas dhe sigurisht gjithçka behet në përputhje me ndryshimet demografike në vend”.
“Falë përpjekjeve kolektive në vitin 2023 ne kemi parë miratimin e Strategjisë Kombëtare për Aftësim dhe Punësim 2030. Ne jemi të lumtur të shohim një ndryshim transformues në sistemin e AFP-së që nuk shihet si një fushë sekondare por po fiton besimin e ekonomisë dhe të komunitetit”, tha ajo.
Sipas saj, kreditimi i AFP-së në shollat profesionale është arritje në drejtim të arsimit cilësor dhe rritjes së shanseve për punësim për të gjithë të rinjtë në Shqipëri.
Merino tha se, “kjo konferencë kryhet në një kontekst të shqetësuar global në lidhje me pabarazinë, ku kemi kombe që kanë arritur zhvillime të paprecedentë të zhvillimit njerëzor dhe kemi nga ato kombe që përballen me fatkeqësi dhe kjo pabarazi, sjell emergjencën për të bashkëpunuar në nivel global për të nxitur zhvillimin gjithëpërfshirës me aftësitë e gjelbra digjitale”.
“Qëllimi është që sistemi i AFP-së t’i përgjigjet gjithnjë e më mirë zhvillimeve ekonomike në Shqipëri sidomos sektorëve të turizmit dhe atij TIK. Ndërsa vëmë fokus bashkëpunimin me sektorin privat dhe arsimin profesional për plotësimin e nevojave të tregut”, theksoi Merino./ata