Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rurul, Anila Denaj u zgjodh sot zëvendëskryetare e Konferencës së 34-t Rajonale të FAO-s, që po mbahet në Romë nga datat 14-17 maj 2024.

Gjatë kësaj konference, FAO prezantoi një panoramë strategjike të kësaj organizate për periudhën 2022-2031, e cila lehtëson veprimet që mbështesin arritjen e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm përmes transformimit në sisteme agroushqimore më efikase, gjithëpërfshirëse, elastike dhe të qëndrueshme për prodhim më të mirë, ushqim më të mirë, mjedis më të mirë dhe një jetë më të mirë.

Ministrat pjesëmarrës të kësaj konference ndanë idetë për ruajtjen e biodiversitetit bujqësor dhe përmirësimin e qeverisjes efikase të ujit në kohë ndryshimesh klimatike dhe sfidave të shumta.

Konferenca e 34-të Rajonale e FAO-s, mblodhi bashkë 53 anëtarët e FAO-s në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si dhe përfaqësues të fondeve të Kombeve të Bashkuara, programeve dhe agjencive të specializuara.

Në këtë konferencë marrin pjesë vëzhgues nga sektorët ndërqeveritar dhe joqeveritar, kërkimi dhe akademia, sektori privat dhe shoqëria civile.

Denaj në kuadër të punimeve të konferencës, zhvlloi një takim dypalësh me drejtorin e Përgjithshëm të FAO, Dr. Qu Dongyu, ku diskutoi mbi projektet e mbështetura nga FAO në Shqipëri, duke përfshirë iniciativat për bujqësinë dixhitale fuqizimin e grave në zonat rurale dhe zhvillimin e zinxhirit të vlerave./ata