Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria synon të arrijë vendin e parë në rajon për turizëm brenda kësaj dekade.

Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, Rama u shpreh se, “sot, prej vitesh në fakt, ka një listë renditjeje të të ardhurave dhe të pagave mesatare në rajonin tonë dhe prej vitesh Mali i Zi është në vendin e parë me një diferencë të ndjeshme me vendet e tjera, e cila ka ardhur duke u ngushtuar, por përsëri nuk është barazuar”.

“Dhe nëse pyesim veten si ka mundësi dhe pse? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Mali i Zi nuk prodhon municione, nuk prodhon raketa, nuk prodhon kompjuterë. Mali i Zi ka qenë vendi pionier i transformimit të turizmit në të gjithë këtë rajon dhe ka arritur të krijojë një industri të turizmit me një reputacion të mirënjohur në botë, falë të cilës ka mundur që të ngrejë komplet të ardhurat për frymë dhe pastaj edhe gjithë sistemin e pagave”, tha Rama.

Patjetër, shtoi kryeministri, “që Shqipëria ka mundësi sot ta synojë, pa diskutim, jo vetëm vendin e parë me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në turizëm, në fund të kësaj dekade, por ka detyrimin të synojë që përmes kësaj industrie të sjellë një rritje të vazhdueshme progresive të të ardhurave dhe të pagave”.

“Ama, që t’ia dalim na duhet jo thjesht të kemi projekte më të bukura se të tjerët, gjë që hap pas hapi po e bëjmë, jo thjesht të kemi më shumë investime çdo vit, gjë që hap pas hapi po ndodh dhe do të shkojë duke u bërë edhe më e theksuar, por edhe duke përgatitur rrugën për të kthyer këtë industri në një bazë të ardhurash të denja për punonjës të kualifikuar si duhet, sepse nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë të gjitha të tjerat do të shumëzoheshin me diçka afër zeros, për shkak se në fund të ditës është cilësia e shërbimit ajo që i bën vizitorët të rikthehen. Dhe këtu interesat e qeverisë dhe të sektorit publik me interesat e sektorit privat janë plotësisht të përputhura”, tha Rama.

“Ama, nga ana tjetër, sektori privat duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi më shumë, duke filluar nga një kontribut i drejtpërdrejtë financiar për sistemin e arsimit profesional dhe nga një përfshirje serioze në këtë ndërveprim pa të cilin ne nuk ia dalim dot si vend, nuk flas thjesht dhe vetëm si qeveri”, u shpreh Rama./ata