Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike mori pjesë sot në Kavajë në përkujtimin e demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri, më 26 mars 1990.
Bardhi tha se “më 26 mars 1990, në Kavajë u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në sheshet dhe rrugët e një qyteti që nuk i nënshtrohet kurrë padrejtësive. Leksionin e asaj dite e kanë dhënë sa herë Shqipëria ka patur nevojë”.
“Liria dhe guximi i bashkëqytetarëve të mi është shënjuar në histori si vlerë që do të trashëgohet brez pas brezi. Krenar për gurët e parë që ky qytet ka vendosur në monumentin e demokracisë 34-vjeçare të Shqipërisë”, theksoi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi tha se “Shqipëria po kalon momente të vështira dhe të ngjashme me atë për të cilën u ngritën të parët qytetarët e Kavajës”.
“Është koha që qytetarët e ndershëm në gjithë Shqipërinë, të bëhen bashkë, të mospajtohen me padrejtësinë dhe keqqeverisjen 11-vjeçare të Edi Ramës dhe të sjellin ndryshimin njëlloj si 34 vjet më parë”, tha Bardhi./ata