Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se “viti që lamë pas tregoi se rritja ekonomike në vend mbetet problematike për arsye sepse nuk është gjithëpërfshirëse, dhe të gjithë treguesit flasin për thellim të polarizimit shoqëror”.

Në një konferencë për shtyp së bashku me Sekretarin për Ekonominë në Partinë e Lirisë, Prof. Petraq Milo, Meta tha se “në një qeverisje të përgjegjshme dy treguesit kryesorë ai i çmimeve dhe i punësimit duhet të përmirësohen nga rritja pozitive dhe e qëndrueshme ekonomike. Por këto dy tregues kryesorë ekonomikë dhe socialë janë përkeqësuar më shumë në tremujorin e fundit të vitit 2023 krahasuar me tremujorin paraardhës të vitit 2023”.

“Besoj rritjen e çmimeve e ndiejnë shumica e qytetarëve, ose e atyre që po na ndjekin.
Rritje e larte e çmimeve te ushqimeve. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2023, arriti në 115,8 % kundrejt indeksit bazë të vitit 2020. Rritja më e madhe e indeksit të çmimeve është vërejtur në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike””, tha Meta.

Sa i përket papunësisë, Meta tha se “ajo u rrit në 2% në tremujorin e katërt të vitit 2023 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2023. Papunësia u rrit nga nga 10.5% në tremujorin e tretë të vitit 2023 në 10.7 % në tremujorin e katërt të vitit 2023”.

Më tej Meta tha se “viti 2023 tregoi një rënie të ndjeshme të eksporteve dhe importeve, si dhe rënie të peshës së shkëmbimeve tregtare me vendet partnere. Në vitin 2023 eksportet e mallrave treguan një ulje të ndjeshme krahasuar me vitin 2023. Nga 487 miliardë lekë në vitin 2022,ato u ulën në 440 miliardë lekë në vitin 2023, pra një rënie e eksporteve prej 10.0 %. Importet në vitin 2023 treguan të njëjtin trend në rënie krahasuar me vitin 2022. Nga 950 miliardë lekë importe në vitin 2022, në 873 miliardë lekë importe në vitin 2022, ose një ulje në 8%”.

Lidhur me zhvillimet demografike, Meta tha se “numri i lindjeve pësoi një rënie, nga 24 688 në 22 210 lindje në vitin 2023”.

Meta u shpreh se “Shqipëria ka një shpopullim masiv, në këto 11 vite që qeveris Rilindja, administrata ka një fyerje artificiale. Shqipëria është zbrazur me gati 800 mijë qytetarë gjatë kësaj kohe”.

“Të gjitha këto tregojnë shumë qartë, pasqyrën e vërtetë të ekonomisë, situatës sociale dhe shoqërore, që reflektohet në mënyrë kritike, në standardet e përkeqësuara të familjeve shqiptare. Që nga çmimet e ushqimeve, barnave dhe gjithçka tjetër. Por edhe për sa I takon situatës me punësimin dhe aspekte të tjera sociale”, tha Meta./ata