Grupi Këshillimor Ndërpartiak i Fondacionit Westminster për Demokraci zhvilloi ditën e sotme një takim në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, Grupin e Miqësisë Shqipëri-Britani e Madhe dhe Klubin Parlamentar për të Rinjtë.

Të pranishëm ishin edhe disa nga drejtorët e shërbimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë takim, morën pjesë Valbona Kuko, Drejtore e Fondacionit Westminster për Demokraci për Shqipërinë, anëtarë të Grupit Këshillimor të Fondacionit Westminster për Demokraci: ish-deputeti i Partisë Laburiste, John Grogan, ish-deputeti i Partisë Kombëtare Skoceze, Stephen Gethins, Drejtori Rajonal për Europën dhe Azinë Qendrore i Fondacionit Westminster për Demokraci, Christopher Levick, Drejtori i Praktikës në Fondacion, Franklin De Vrieze dhe Wendy Morton etj.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, u shpreh se bashkëpunimi me Fondacionin Westminster për Demokraci në Shqipëri është në nivele të larta dhe në përputhje me vizionin strategjik të zhvillimit të Parlamentit. “Kemi një plan strategjik zhvillimi dhe i kemi të qarta drejtimet që Parlamenti duhet të përmirësohet. Bashkëpunimi në nivel ekspertize është shumë i mirë dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë.”- u shpreh Gjonçaj.

Po ashtu, Gjonçaj, gjatë takimit foli edhe për projektin “Dialog për konsensus”, projekt ky i realizuar në Kuvendin e Shqipërisë me mbështetjen e Fondacionit Westminster për Demokraci.

“Fondacionin Westminster për Demokraci e konsiderojmë një partner strategjik. Do të vazhdojmë me projektet dhe ju falenderojmë për mbështetjen ndaj Parlamentit të Shqipërisë”, u shpreh Gjonçaj.

Pas diskutimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Gjonçaj, shoqëroi anëtarët e Grupit Këshillimor të Fondacionit Westminster për Demokraci për një vizitë nga afër në sallën “Dialog për konsensus”, në Kryesinë e Kuvendit.

Më tej, anëtarët e Fondacionit Westminster për Demokraci zhvilluan një takim me Grupin e Miqësisë Shqipëri-Britani e Madhe dhe Klubin Parlamentar për të Rinjtë.

Të pranishëm ishin deputetët Pandeli Majko, Bardhyl Kollçaku, Eduard Ndreca, Andia Ulliri, Sorina Koti, Elda Hoti dhe Denis Deliu. Gjatë këtij takimi u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve, çështjet me në fokus të rinjtë dhe vijimin e bashkëpunimit mes palëve./ata