Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim në Asamblenë Kombëtare të Francës, me Jean-Louis Bourlanges, kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez.
Basha informoi se takimi u fokusua mbi situatën e sigurisë dhe kërcënimet me të cilat po përballet Europa, ndërsa lufta e agresionit rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.
“Situata në Ukrainë dhe hapat e ndërmarrë në Europë dhe SHBA në lidhje me mbajtjen përgjegjëse të Rusisë edhe për krimet dhe dëmet e shkaktuara ishin në qendër të takimit.
E njoha Kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës, ku parashikohet që Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e saj të paligjshme. Në funksion të këtij qëllimi është edhe konfiskimi i aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosja e tyre në mbështetje të Ukrainës”, informoi Basha.
Basha u shpreh se “përtej ndihmës për Ukrainën ky hap përbën edhe një mesazh të qartë ndaj agresorëve dhe atyre që përpiqen të përfitojnë prej agresionit”.
“Të tilla janë përpjekjet për destabilizim në rajon, ku synimet e Moskës me mbështetjen e aleatëve të saj në Serbi, janë zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimi i arkitekturës së sigurisë së krahut juglindor të NATO-s, duke provokuar një front të ri në zemrën e Aleancës”, tha ai.
Ndërkohë që nesër do të zhvillohet seanca e posaçme e Komitetit Politik mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Basha kërkoi mbështetjen e Francës duke nënvizuar se Kosova anëtare e Këshillit të Europës është një garanci më shumë për ata që pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave atje.
Më herët, Basha zhvilloi një takim edhe me nënkryetaren e Komisionit për Punët e Jashtme të parlamentit francez, të cilës i shprehu shqetësimin për gjuhën kërcënuese të Beogradit ndaj paqes dhe sigurisë në Kosovë, por edhe në rajon, me nxitje dhe mbështetje edhe nga Moska./ata