Akademia e Shkencave përkujtoi rolin e princit Wilhelm von Wied, në një tryezë shkencore në sallën “Aleks Buda”.

Tryeza u përqëndrua tek përpjekjet e princit Wied për mëkëmbjen e vështirë të shtetit të ri shqiptar, përgjatë periudhës gjashtëmujore të historisë së Shqipërisë nën kurorën e një sovrani europian, mandatuar prej Fuqive të Mëdha.

Akad. Gezim Hoxha tha në fjalën e tij se Akademia e Shkencave ka ndërmarrë dhe po realizon projektin “Histori e shqiptarëve” dhe se sundimi i Wied-it si princ përbën një sekuencë shumë interesante në këtë histori. Kohën gjatë së cilës Wied-i qëndroi në Shqipëri akad. Hoxha e vlerësoi si një periudhë me rëndësi historike, që karakterizohet nga përpjekje shumë të mundimshme për të arritur pavarësinë; përpjekje për shkëputje nga Orienti dhe shikimin nga Perëndimi; për përballimin e synimeve dhe përpjekjeve aneksuese të fqinjëve, kur vendi gjendej në situatë ekonomike, historike dhe politike mbijetese.

Akad. Marenglen Verli mbajti kumtesën “Opinione të Wied-it për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ai u shpreh se princ Wied-i dhe “Qeveria definitive” e krijuar prej tij, pati detyrimin madhor të ndërtonte shërbimin e jashtëm e të përcaktonte përparësitë politike në marrëdhëniet me botën.

Deri në momentin që do të zgjidhej nga Fuqitë e Mëdha, me propozim të Austo-Hungarisë dhe të Italisë, Wilhelm von Wied ishte kapiten i kavalerisë gjermane dhe shërbente në Potsdam, në një kazermë shumë të njohur, ku mblidheshinbkryesisht aristokratët gjermanë të asaj kohe. Vinte nga një familje relativisht e njohur në historinë gjermane, por që me kalimin e viteve e kishte humbur shkëlqimin e saj dhe u ribë e njohur pikërisht në momentin që po përflitej për t’u zgjedhur si princ i Shqipërisë. Arsyet pse do të zgjidhej princ Weid-i janë interesante. E parë është se ndërmjetësja kryesore në këtë zgjedhje ishte halla e tij, mbretëresha e Rumanisë, që vinte nga familja Wied dhe që ndikoi në këtë zgjedhje.

Në takimin që princ Wied-i kishte pasur me perandorin gjerman para ardhjes në Shqipëri, i kishte pohuar se ai e shikonte këtë detyrë si një sfidë dhe se ishte përzgjedhur të ishte realizuesi i një misioni kulturor për një vend tepër të pacivilizuar. Edhe gruaja e Wied-it ishte shumë entuziaste për këtë projekt dhe mezi priste të vinte në Shqipëri e të fillonte punën për civilizimin e vendit./ata