Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, priti të mërkurën në selinë blu, reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.

Në një reagim në rrjetet sociale, Alibeaj ka ndarë foto nga takimi, ku thekson se ka ndarë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për integrimin europian, veçanërisht Reforma Zgjedhore.

“Sot pata kënaqësinë të prisja në një takim Isabel Santos reportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Bashkë me Santos ndamë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për integrimin europian, duke u ndalur veçanërisht për Reformën Zgjedhore, e cila do të duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e ODHIR”, shkruan Alibeaj.

“Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, e njoha Santos mbi ecurinë, garancitë, transparencën, gjithëpërfshirjen e çdo fluksi politik brenda opozitës në mirëpërcaktimin e marrjes së vendimeve që ofronte mekanizmi i Komisionit,  i kërkuar që para dy vitesh nga Partia Demokratike”, vijoi Alibeaj.

“Po ashtu i shpreha, qëndrimet dhe propozimet konkrete të Partisë Demokratike të prezantuara që në dhjetor 2022 e më pas në nëntor 2023, nën formën e një projektligji të depozituar në Kuvend, ku adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi shitblerjen e votës, keqpërdorimit të mjeteve dhe burimeve publike në zgjedhje, etj., të shprehura në katër shtylla: votë për Diasporën; lista të hapura; Shqipëria një zonë zgjedhore; votim dhe numërim elektronik”, theksoi Alibeaj.

“Ndava shqetësimin për mungesën e vullnetit politik të dëshmuar nga ana e mazhorancës socialiste për të çuar përpara Reformën Zgjedhore në frymën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe theksova se çdo përpjekje për ta devijuar këtë proces me mjete informale, pa transparencë dhe jo gjithëpërfshirëse dhe pa garanci institucionale, bie ndesh me interesin e qytetarëve shqiptarë”, bën të ditur Alibeaj.

“Mbi të gjitha i shpreha Santos, qëndrimin e vendosur që Partia Demokratike ndan, në mënyrë të panegociueshme, mbi aleancën parimore me SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK dhe luftës ndaj pandëshkueshmërisë e korrupsionit, dhe një Reformë Zgjedhore në interes të qytetarëve shqiptarë e cila do të duhet të përmbyllet me transparencë, me gjithëpërfshirje, në kohë, për t’iu siguruar të gjithë qytetarëve një proces zgjedhor me standarde reale, të lira e të ndershme si një kusht për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, përfundon postimi i Alibeajt./ata