Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se kërkesa për investime e sektorit privat në energji gjatë vitit 2022 përllogaritet 1.3 miliardë euro.

 

Në konferencën për energjinë që po mbahet në Tiranë, zv/kryeministrja Balluku tha se vetëm brenda vitit 2022 janë aprovuar projekte të cilat përbëjnë 300 megavat-orë prodhim. Njëkohësisht ajo informoi se po trajtohen 55 kërkesa për një kapacitet prodhues prej 1.7 gigavat.

 

“Në total investimi përllogaritet 1.3 miliardë euro nga sektori privat në Shqipëri në projekte energjetike”, deklaroi Balluku.

 

Zv/kryeministrja u shpreh më tej se qeveria ka nisur prej vitesh një strategji të mirëfilltë diversifikimi të burimeve energjetike, me një qëllim të saktë, kthimin e Shqipërisë nga një vend importues në një vend eksportues neto.

 

“Dhe kjo do të ndodhë brenda vitit 2029, sipas një analize të të gjitha programeve e projekteve, por edhe me përllogaritjen e investimeve të sektorit privat që tashmë janë të rëndësishme”, tha ajo.

 

Për zv/kryeministren Balluku sfida energjetike me të cilat vendet u përballën në vitin që shkoi nuk i dha imunitet askujt.

 

“Por askush, as BE as Ballkani Perëndimor e as vende të tjera nuk u gjunjëzuan, por u motivuan për të gjetur instrumente të reja e krijuar burime të reja alternative”, vuri në dukje ajo.

 

Për zv/kryeministren Balluku, Shqipëria këtë vit është e privilegjuar për sa i përket sektorit energjetik.

 

“Ky është një vit i rëndësishëm sa i takon energjisë, pasi në këtë vit ne mbajmë kryesimin e dy proceseve shumë të rëndësishme. Kemi presidencën e Komunitetit të Energjisë, si një mekanizëm bashkëpunimi, rajonal dhe një katalizator për integrimin e rrjeteve tona energjetike me ato të Bashkimit Europian dhe zhvillimin e sektorit në përputhje me direktivat dhe standardet europiane, duke i ofruar kështu garanci të shtuar investitorëve. Nga ana tjetër Shqipëria do të jetë mikpritëse për Procesin e Berlinit, njohur ndryshe si axhenda e konektivitetit, një tjetër platformë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian e mbështetur dhe udhëhequr nga qeveria gjermane, e cila ka vërtetuar që është një mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin tonë dhe vendeve tona, përgjithësisht Ballkanit Perëndimor, pra drejt Bashkimit Europian duke jetësuar reforma dhe projekte, të cilat na sjellin më pranë realizmit të objektivave kombëtare dhe atyre të lidhura padyshim me anëtarësimin”, tha ajo.

 

Sipas saj, kryesimi i Procesit të Berlinit është jo vetëm një tregues i rolit kyç të Shqipërisë në rajon, por mbi të gjitha një vlerësim i punës për të çuar përpara proceset, reformat, projektet në të gjithë sektorët.

 

“Shqipëria është një shembull për t’u marrë. Shqipëria është padyshim një nga vendet që shpeshherë i referohen si për 100 % prodhimin e energjisë së rinovueshme, ashtu dhe për diversifikimin e energjisë së rinovueshme”, u shpreh Balluku.

 

Për shkak të krizës, vuri në dukje zv/kryeministrja, u kufizuan shumë investime në sektorin energjetik.

 

“Shqipëria sot është një vend që zhvillohet në të gjitha fushat, në fushën e agrobiznesit, në fushën e turizmit dhe në çdo fushë tjetër të infrastrukturës arsimore, shëndetësore e të tjerë dhe të gjitha këto padyshim kërkojnë një nga elementët më të rëndësishëm, por më bazik që është energjia. Dhe çfarë ndodh në të tilla raste kur ti duhet të frenohesh për shkak të krizës? Atëherë duhet të bëhesh me eficient. Pavarësisht se investimet i kemi frenuar për shkak të krizës, ne kemi arritur që të ulim me 19.6 % humbjet teknike”, tha Balluku.