Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me drejtues të agjencive ligjzbatuese italiane, trajnoi 15 oficerë të Policisë së Shtetit që janë përgjegjës për hetimin e trafiqeve të paligjshme.
Metodat proaktive të hetimit, bashkëpunimi ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar, si dhe komunikimi me viktimat e trafikimit duke mbajtur parasysh traumën dhe qasjen me viktimën në qendër, ishin disa nga temat e trajtuara në këtë trajnim dyditor, falë përvojës të ndarë nga zyrtarë të lartë të Policisë dhe Karabinierëve italianë.
“Bashkë me OSBE-në po punojmë për avancimin e trajnimeve kundër trafikimit që zhvillohen në Akademinë e Sigurisë”, u shpreh prof. dr. Ilirjan Mandro, rektor i Akademisë së Sigurisë.
Trajnimi u zhvillua në vazhdën e një sërë veprimtarish të ndërmarra nga Prezenca e OSBE-së, së bashku me Policinë e Shtetit dhe Akademinë e Sigurisë për të rritur aftësitë e punonjësve të policisë në hetimin e trafikimit të personave, në kuadrin e një projekti të mbështetur nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Norvegjisë dhe Italisë./ata