Pas mbledhjes së konstituimit në Komisionin e Ligjeve të grupit të dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, u shpreh se, “çështja kryesore që u la detyrë është limitimi i çështjeve që do të jenë objekt i punës së këtij grupi dialogu, këtij mekanizmi dialogu, pra ligjet me shumicë të cilësuar, çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar”.

“Ajo që u vu theksi dhe ajo që është interesi i qartë i opozitës, ajo që u ra dakord, është që çështja prioritare, e cila do të trajtohet nga ky mekanizëm dialogu është reforma zgjedhore, që përfshijnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, problematikat që kanë dalë, vendimet e Gjyaktës Kushtetuese dhe të gjitha ato çështje, që mund të prekin dhe ligje të tjera, të cilat ndikojnë në garantimin e standardeve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha ai.

“Pra, prioritet sa i takon opozitës dhe që u ra dakord nga grupi i punës është trajtimi i reformës zgjedhore. Sigurisht më pas do të trajtohen dhe çështje të tjera, që do të listohen”, theksoi Bylykbashi.

I pyetur për amnistinë penale, Bylykbashi tha se, “kjo ishte një çështje që nuk u diskutua, sepse nuk u diskutua asnjë çështje në substancë”.

“Ajo që ramë dakord është kjo, që do të listohen dhe do të përcaktohet në një mbledhje tjetër objekti i punës. Pra kush janë çështjet prezente në Kuvend për t’u zgjidhur”, tha Bylykbashi.

I pyetur nëse mbledhje të këtij grupi do të zhvillohen me dyer të mbyllura, Bylykbashi tha se, “ai është vendim i Konferencës së Kryetarëve”.

“Puna që do të bëjë ky grup dialogu do të jetë transparente. ne do të diskutojmë modalitetit. Përsa na takon ne si opozitë sigurisht që ne kërkojmë transparencën maksimale sepse është aleat i parimeve dhe çështjeve, të cilat ne çojmë përpara. Do ndiqen praktikat më të mira”, theksoi ai.

Bylykbashi shtoi se “është e nevojshme të kemi mundësinë të punohet, sidomos kur vijmë tek çështjet e substancës ku kërkohet efikasitet”.

I pyetur nëse reforma zgjedhore do të përfundojë brenda këtij sesioni, Bylykbashi tha se, Reforma Zgjedhore ka qenë gjithmonë çështje e vullnetit politik, përveçse detyrim.

Ai nënvizoi se do t’i drejtohen për ekspertizë edhe organizatave ndërkombëtare./ata