Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Qendra e Studimit të Arteve pranë ASHSH organizoi një lectio magistralis me titullin “Muzika si inteligjencë emocionale” me Eno Koçon, muzikolog, profesor, dirigjent e anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave.

Ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari, akad. Vasil Tole, anëtarë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, artistë e instrumentistë të njohur dhe studentë të muzikës.

Eno Koço, bir i muzikantëve Kristo Koço dhe Tefta Tashko rrëfeu udhëtimin e tij në rrugën e muzikës. Nisi në moshën 7- vjeçare të studiojë violinë në Liceun Artistik të Tiranës, më vonë në Leningrad, dhe pastaj u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, më 1966-n. Pas përfundimit të studimeve për dirigjim më 1977-n, emërohet dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTVSH. Më pas drejtoi Orkestrën Simfonike të Kajros në Egjipt (1986) dhe u atashua pranë Orkestrës RAI dhe Operës Regio të Torinos (1989).

Eno Koço rrëfeu për jetën midis Anglisë dhe Shqipërisë, që nga viti 1992, me një veprimtari të pasur si dirigjent, muzikolog dhe profesor.

Gjatë kësaj veprimtarie u diskutuan botimet shqip dhe anglisht në fushën e muzikologjisë siç janë traktati “Orkestrimi”, në bashkëpunim me Gjon Simonin, dhe librat “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, “Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930”, “Kënga karakteristike korçare , “The Albanian Urban Lyric Song in the 1930s” , e të tjera.

Eno Koço mban gradën doktor në filozofi (fituar në Universitetin e Leeds-it, 1998), me temën “Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930” dhe titullin profesor i asociuar dhënë nga Akademia e Arteve të Tiranës (2005)./ata