Në Amfiteatrin e Durrësit, i ndërtuar në fund të shek 1 pas Krishtit dhe i zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, ka nisur puna për projektin e gërmimit dhe restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se “me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale ka nisur puna në hapësirat e amfiteatrit”.
“Projekti madhor i gërmimit dhe restaurimit po paraprihet nga sondazhi arkeologjik dhe aplikimi i sondave gjeologjike vertikale dhe horizontale me qëllim njohjen më të mirë të shtresave nëntokësore, shtrirjen e monumentit, lidhjen e tij me truallin natyror si dhe nivelin e ujërave nëntokësore”, theksoi Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “rezultatet që po përftohen do të shërbejnë për hartimin e raporteve, të cilat do të krijojnë bazën e shëndoshë për vijimin e projektit për nxjerrjen në dritë të kësaj pasurie të jashtëzakonshme”.
Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.
Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.
Amfiteatri i lashtë po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj.