Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka nisur turin e konsultimeve publike për rishikimin e dy ligjeve, atij “Për rininë“dhe “Për vullnetarizmin”.
Ministrja Bora Muzhaqi e nisi turin e takimeve fillimisht në Kurbin së bashku me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Cara dhe një grup të rinjsh nga Kurbini dhe zonat përreth, dhe më pas e vijoi në Shkodër.
Gjatë këtyre takimeve, të rinjtë patën mundësinë të shpalosnin rekomandimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e legjislacionit që prek rininë dhe vullnetarizmin.
Në diskutimet e tyre, të rinjtë theksuan nevojën për përfshirjen e përfaqësuesve të qeverive të nxënësve në Këshillin Kombëtar të Rinisë, duke theksuar se përfaqësimi i drejtë i komunitetit rinor kërkon kuota të dedikuara për të rinjtë në kushte margjinalizimi dhe kritere për barazinë gjinore.
Sa i përket ligjit “Për vullnetarizmin”, të rinjtë vlerësuan programet vullnetare me shtrirje të ndryshme kohore, duke preferuar më shumë ato që zgjasin nga një deri në tre muaj.
Ata theksuan nevojën e mbulimit të shpenzimeve vetjake për vullnetarët dhe njohjen e periudhës së vullnetarizmit si vjetërsi pune dhe për aplikime për studime.
Gjatë takimit, të rinjtë plotësuan anketa ku shprehën mendimet e tyre mbi financimin e projekteve vullnetare dhe mënyrat më të përshtatshme për të marrë informacion mbi projekte dhe nisma vullnetare.
Turi “Rinia ndryshon ligjet” synon të sigurojë që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe të përfshihet në procesin e rishikimit të ligjeve që i prekin ata drejtpërdrejt, njëjtë me praktikën e ndjekur nga ministrja Muzhaqi edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë./ata