Të paktën 6 persona humbën jetën pasi ushtria izraelite shënjestroi palestinezët të cilët prisnin ndihma humanitare në Gaza.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj kundër zonave të ndryshme të qytetit të Gazës.
Bëhet e ditur se 6 persona humbën jetën si pasojë e shënjestrimit nga forcat izraelite ndaj civilëve të cilët po prisnin ndihma humanitare në zonën industriale në lindje të Gazës.
Dhjetëra persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën dhe mbetën nën rrënoja për shkak se ushtria izraelite shënjestroi shtëpitë përreth spitalit Al-Shifa, të cilin e bastisi dhe e mban të rrethuar.
Shumë kufoma kanë mbetur nëpër rrugë ndërsa disa kanë filluar të dekompozohen për shkak të rrethimit të ushtrisë izraelite që vazhdon përreth spitalit Al-Shifa dhe lagjes Rimal.
Më tej thuhet se shumë palestinezë humbën jetën për shkak se avionët luftarakë izraelitë shënjestruan 4 shtëpi në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite bombardoi 2 shtëpi në lagjen Nasr, 1 në Shujaiyya dhe 1 në lagjen Zaitoun në qytetin e Gazës.
Një zjarr shpërtheu në kampin e refugjatëve Jabalia pasi një sulm shënjestroi një biznes në të cilin shiteshin pajisje shtëpiake elektrike.
- Izraeli vazhdon të shënjestrojë civilët që përpiqen të mbërrijnë tek ndihmat humanitare
Izraeli edhe më parë ka shënjestruar shumë herë palestinezët që prisnin ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Në sulmin e ushtrisë izraelite më 29 shkurt që shënjestroi palestinezët të cilët po prisnin ndihmat humanitare në kryqëzimin Nablusi në rrugën Rashid në jug të qytetit të Gazës, u vranë 118 persona dhe u plagosën 760 të tjerë.
Anëtari i Këshillit Legjislativ Palestinez, Mustafa Barghouti kishte njoftuar se ushtria izraelite ka vrarë 560 palestinezë dhe ka plagosur mbi 1.500 palestinezë të tjerë që prisnin ndihma humanitare në Gaza.
Një katastrofë e madhe humanitare po përjetohet në Rripin e Gazës, me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, ku ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ka vazhduar sulmet e saj duke vënë në objektiv vendbanimet civile, spitalet, shkollat dhe strehimoret ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur.
Që nga 7 tetori e deri më tani në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 32.552 palestinezë ndërsa janë plagosur 74.980 persona.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur dhe po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./aa