Qeveria e përkohshme e Bullgarisë ka vendosur të rrisë pagën minimale mujore bruto me 15.4%, duke e çuar në 551 euro që nga 1 janari 2025, tha Ministria e Punës.

Paga minimale për orë në vend do të jetë 3,32 euro që nga viti i ardhshëm, tha ministria në një deklaratë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 430,000 punonjës do të përfitojnë nga kjo rritje.

Qeveria përcakton çdo vit pagën minimale sipas Kodit të Punës, i cili kërkon që ajo të jetë e barabartë me 50% të pagës mesatare bruto për një periudhë 12 mujore, duke përfshirë dy tremujorët e fundit të vitit paraardhës dhe dy tremujorët e parë të vitit aktual.

Rritja e pagave do të reduktojë varfërinë e punëtorëve dhe pabarazinë e të ardhurave dhe do të rrisë fuqinë blerëse dhe konsumin e punëtorëve me të ardhura të ulëta, deklaroi ministria.

Përpara vendimit të kabinetit të përkohshëm, shoqatat e sektorit privat dhe federatat e sindikatave ishin të pakënaqura me propozimin. Shoqatat e sektorit privat argumentuan se metodologjia për përcaktimin e pagës minimale është e gabuar, ndërsa sindikatat kërkonin që shuma të ishte më e lartë.

Kjo rritje është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve ekonomike për punonjësit, por mbetet për t’u parë si do të reagojnë tregjet dhe bizneset përballë këtyre ndryshimeve.

Në vitin 2023, Bullgaria shënoi koston mesatare më të ulët të punës për orë në BE, me 9,30 euro, krahasuar me një mesatare të BE-së prej 31,80 eurosh. Ndërsa Luksemburgu u rendit i pari me njw mesatare prej 53,90 eurosh, sipas të dhënave të Eurostat./Scan