Ambasada e Gjermanisë në Tiranë përgëzoi sot qeverinë shqiptare për zbatimin me sukses të Konferencës “Aftësi 2030” dhe mobilizimin e një grupi shumë interesant pjesëmarrësish.
“Ne si Gjermani jemi krenarë që kemi mbështetur tashmë për më shumë se 10 vjet partnerët tanë në ngritjen e një sistemi dual të arsimit profesional”, thuhet në një reagim të ambasadës gjermane.
Konferenca dyditore Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional solli së bashku partnerët strategjikë të fushës, me qëllim eksplorimin e mënyrave se si sistemi i AFP-së mund të kontribuojë në agjendën për zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Aktiviteti dyditor kishte për qëllim që të eksploronte ato qasje inovative, të cilat janë në harmoni me tendencat demografike, përparimet teknologjike, digjitalizimin dhe nevojat në zhvillim e sipër të tregjeve të punës dhe të sektorëve ekonomikë prioritarë.
Konferenca u organizua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili orienton dhe mbështet përpjekjet strategjike të Qeverisë Shqiptare në pajtim me prioritetet e BE-së në procesin e integrimit, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si një parter i kahershëm për konsolidimin dhe transformimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri dhe UNDP-në, si një katalizator i përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare në proceset e reformimit të politikave për zhvillimin e aftësive./ata