Emisioni “Vetting” i ka dërguar kërkesë zyrtare Departamentit të Administratës Publike, mbi emërimet pa garë dhe transferimet që janë bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
“Administrata jonë prodhon arrogancë. E para njëherë nuk njohin ligjin, e dyta nuk e zbatojnë ligjin kur e njohin dhe e treta është çështje kulturore”.- Margarita Kola
Deri në publikimin e këtij materiali, DAP nuk ka kthyer përgjigje për emërimet, duke shkelur afatet ligjore të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.
Shkeljet me emërimet te Tatimet lidhen më së shumti me lëvizjet e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj ose VIPA-t. Kjo drejtori do të binte në qendër të vëmendjes, kur Tatimet do të publikonin në faqen zyrtare të institucionit kërkesën për të marrë një ambient me qera.
Më 15 korrik 2022, drejtoritë kryesore të tatimeve qendrore duke përfshirë sektorin “VIP” dhe sektorin e hetimit tatimor do të fillonin aktivitetin në një ndërtesë pa leje, e cila është marrë me qira.
Sipas kontratës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë me qira për zyra 2931 metra katrorë në një objekt në Yzberisht, buzë unazës së madhe të Tiranës, në zonën e “Astirit”.
Sipas dokumenteve zyrtare ky objekt ka të regjistruara në hipotekë vetëm 373,3 metra katrorë, pjesa tjetër prej 2559 metrash katrorë është pa leje dhe prej vitesh në procedura legalizimi. Vlera e kontratës është 25 mijë euro në muaj dhe nuk dihet se çfarë procedure është ndjekur për të arritur në këtë marrëveshje, por Tatimet nuk kanë njoftuar ndonjë tender të hapur, ku subjektet konkurrojnë me çmimet që ofrojnë.
Në kontratën ku Ceno Klosi ka hedhur firmën ka absurditete të ndryshme, ku thuhet se qiradhënësi garanton se është pronar i vetëm legal i pasurisë, ndërkohë që vetë objekti akoma nuk kishte marrë leje.
Nga të dhënat e thesarit, të përpunuara nga Open Data Albania, nga Tatimet janë paguar rreth 420 milionë lekë ose 420 mijë euro vetëm për qiranë e Tatimeve VIP.
Tre raporte KLSH shkarkojnë kryetatimorin Ceno Klosi
Më tetor 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte raportin për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, i cili përfshinte periudhën nga data 01 Janar 2022 deri në 31 dhjetor 2022.
Në raportin e tretë për Ceno Klosin në Administratën Publike zbulohet se Tatimet kanë probleme të shumta duke filluar nga realizimi i planit të të ardhurave, mungesa e stafit të kualifikuar dhe tejkalim afatesh për firmosjen e kontratave për tenderat.
Audituesit evidentojnë se në fund të vitit 2022, detyrimet e pashlyera për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, për ish punonjësit e Tatimeve ishin 137 milionë lekë ose 1.3 milionë euro, e cila konsiderohet me pasoja negative në buxhetin e shtetit.
Avokatja Margarita Kola tha për vetting se: “Problemin ne e kemi me zbatimin e ligjit, pra me zbatimin e ligjit, ne e kemi këtë ligj, përsëri veprohet në kundërshtim me këtë ligj dhe kemi rastet kur gjykatat janë mbushur me padi, ku nëpunësit civil hiqen nga puna jo në zbatim të këtij ligji. Dhe problemi pastaj dhe më kryesori është, këto pagesa dëmshpërblimet që merren nëpër gjykata, kthimet në vendin e punës e të gjitha këto paguhen nga buxheti i shtetit.”
Në vëmendjen e KLSH-së rezulton tenderi për rikonstruksionin e Drejtorisë Rajonale Dibër.
Në vitin 2022, Tatimet do të hapnin garën për këtë tender, i cili është kualifikuar si i dyshimtë pasi janë skualifikuar të gjithë konkurrentët, duke u shpallur fitues kompania “2 N” me aksioner, Namik Shahinin dhe administrator Ndriçim Stojkun.
Sipas KLSH-së, kontrata është lidhur pas datës 15 tetor të vitit 2022, jashtë afatit të përcaktuar në Projekt Buxhetin Afatmesëm 2022-2024.
Por ky nuk është raporti i parë që nxjerr problemet e Ceno Klosit në Administratën Publike, ku dy raportet e mëparshme, njëri nga OSHEE-ja dhe tjetri nga AKUM-i kanë kërkuar shkarkimin nga detyra.
Megjithatë një nga tenderat, që e ka vendosur në qendër të dyshimeve për korrupsion, lidhet me tenderin për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në zonën bregdetare në qytetin e Vlorës, për të cilin Ceno Klosi ka patur përgjegjësi si Drejtor i Përgjithshëm i AKUM. Ky tender është fituar në 2019 nga kompanitë “BE-IS” shpk, “Vëllezërit Hysa” dhe “ERGI” shpk, por pati probleme me zbatimin e tij, duke implikuar dhe kryetatimorin në zbatimin e kësaj kontrate.
Konkretisht, në raportin e KLSH-së për AKUM-in, deklarohet se Ceno Klosi nuk ka marrë masa për aplikimin e penaliteteve për vonesat në përfundimin në afat të zbatimit të kontratës dhe realizimin e punimeve.
Pano Soko ekspert i ekonomisë shprehet se: “Dëmi financiar, sidomos dëmi i pariparueshëm financiar të niveleve të larta, po themi kur bëhet fjalë për 250 milionë bëhet fjalë për këto shifra, do të duhet të referohen në prokurori. Unë e di se çdo raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, unë di se një kopje e raportit i shkon për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, e cila e shpërndan sipas degëve të saj, një pjesë e marr SPAK-u, një pjesë e merr Prokuroria e rrethit etj, etj. Por patjetër duhet të referohen në prokurori se e vetmja zgjidhje.”
Mungesa e zbatimit të kontratës ka sjellë pasojë te pompat që rregullojnë kanalizimin e ujërave të zeza gjatë shirave në qytetin e Vlorës, pasi njëra prej pompave nuk funksionon dhe ka shkuar për servis. Ky lajm konfirmohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Sokol Kananaj.
Në këtë rast, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dëmi i shkaktuar nga Ceno Klosi përllogaritet 25 milionë lekë ose rreth 250 mijë euro.