Zv/presidentja e SHBA-së dhe kandidatja për presidente e Partisë Demokratike, Kamala Harris, duke iu referuar deklaratës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së se ndihma ushqimore nuk ka hyrë në veri të Gazës që nga 1 tetori, i bëri thirrje Izraelit të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të lehtësuar qasjen në ndihma humanitare për ata që kanë nevojë në Gaza.
Harris në postimin e saj në rrjetin social X tha se "OKB-ja ka raportuar se asnjë ushqim nuk ka hyrë në veri të Gazës për gati dy javë. Izraeli duhet të bëjë urgjentisht më shumë për të lehtësuar rrjedhën e ndihmës për ata që kanë nevojë".
Ajo theksoi nevojën për të mbrojtur civilët në rajon dhe për të siguruar qasjen e tyre në ushqim, ujë dhe shërbime mjekësore si dhe nevojën për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Në deklaratën e publikuar nga WFP më 12 tetor, u raportua se kalimet kryesore në veri të Gazës ishin të mbyllura dhe asnjë ndihmë ushqimore nuk kishte hyrë në rajon që nga 1 tetori. Në deklaratë thuhet se pikat e shpërndarjes së ushqimit, kuzhinat dhe furrat e bukës në veri të Gazës duhej të mbylleshin për shkak të faktorëve si sulmet ajrore dhe urdhrat e evakuimit./aa