Në Europe House është zhvilluar një takim letrar ku e ftuar ka qenë Rita Petro, kandidatja e Shqipërisë për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë. “Poetja na dërgoi në një udhëtim nëpër kujtimet e saj të fëmijërisë në Shqipërinë gjatë regjimit komunist”, shkruhet në faqen online të Bashkimit Europian në Tiranë.

Në klubin e librit, në Europe House, u diskutua rreth romanit të Rita Petros, “Lindur së prapthi”.

Dashamirësit e librit panë botën përmes syve të një fëmije të quajtur “e lindur së prapthi” nga familja e saj, duke zbuluar poezi të ndaluara, miqësi të pabesueshme dhe sfida të jetës nën regjimin komunist. Pjesa më e bukur e takimit ishte bashkëbisedimi i lirë mes pjesëmarrësve dhe autores Petro, mbi librin dhe temat që ai prek.

Pak ditë më parë, poetja Rita Petro mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë. Në stendën e Shqipërisë, Rita Petro prezantoi librin e saj “Vrima” të përkthyer në gjuhën gjermane./ata