Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se, në kuadër të paketës së Sigurisë në shkolla, Policia ka ndaluar 1 100 shpërndarës lëndësh narkotike në 200 ditë.
Deklaratën e tij, Ministri Balla e bëri teksa vizitoi ekspozitën me punime artistike të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës që trajtojnë tematika që lidhen me rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe akteve të dhunës e bullizmit.
Ekspozita u çel në Liceun Artistik “Jordan Misja”, dhë në të u shfaqën punimet artistike të nxënësve të shkollave 9-vjeçare që trajtojnë tematika të ndryshme, lidhur me rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe akteve të dhunës e bullizmit.
Balla, pasi vëzhgoi nga afër pikturat e ekspozuara, tha se në 200 ditët e para të operacionit kombëtar kundër shpërndarësve të narkotikëve janë vënë në pranga rreth 1,100 persona të implikuar.
“Falënderoj të gjithë djemtë e vajzat që këtë 200-ditësh të Paketës së Sigurisë në Shkolla, ta kurorëzojmë sot me këtë ekspozitë e cila është shumë domethënëse, sepse fenomenet për të cilat po flasim, janë prezantuar me mendjen dhe këndvështrimin e të rinjve,” u shpreh Ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Ministri mori pjesë në këtë event së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës Tonin Vocaj. Me këtë rast, u bënë publike të dhëna të këtij aksioni të madh, i cili zhvillohet në e përreth ambienteve të shkollave në vend.
“Unë mund të ndaj me ju faktin që falë punës së Policisë, rreth 1100 shpërndarës lëndësh narkotike nuk janë më qarkullim. Dhe kjo është një arritje e madhe, po të kemi parasysh kohën e shkurtër,” nënvizoi Ministri.
Duke folur rreth angazhimit të trupave policore në ambietet shkollore, Balla theksoi se “kjo ka qenë një sipërmarrje e vështirë për një forcë policie me rreth 10 mijë trupa që të garantojë prezencë të vetën, në mëngjes, kur mbërrijnë fëmijët, gjatë pushimit të drekës dhe kur largohen fëmijët, në të gjitha shkollat e vendit.”
Ai falënderoi institucionet e tjera të angazhuara në zbatimin e Paketës së sigurisë në shkolla, si Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Bujqësisë, përmes AKU-së, Ministrinë e Shëndetësisë që aktivizohet përmes ISHSH dhe pushtetit lokal, të cilët kanë dhënë ndihmesën e tyre të vyer për realizimin me sukses të paketës në këto 200 ditë të para.
Balla ka bërë dhe një rezyme të rezultatit të paketës së sigurisë në shkolla. “Prej shtatori 2023, “Tempulli” ka rezultat: 1100 persona të ndaluar në tentativë për shitje të lëndëve narkotike, dhe janë sekuestruar rreth 1600 kg kanabis, mbi 18 kg kokainë, 12 kg heroinë etj. Përgëzime Policisë dhe Prokurorisë Tiranë për goditjet e sistematike të tentativave për futje të lëndëve narkotike nga jashtë vendit përmes postës. Do të bëjmë gjithçka të përmbushim pritshmërintë e prindërve dhe gjyshërve që tempulli i dijes, shkolla, të mbetet e sigurtë dhe mos të lejojmë depërtimin e fenomeneve negative që cenojnë jetën dhe shëndetin e tyre”, bën të ditur Balla.
Sa i përket trajtimit të dhunës online, Balla bëri me dije se po punohet për të patur edhe një paketë, e cila të ketë në vëmendjen e saj shërbimet dixhitale, problematikat që vijnë nga dhuna online në rrjetet sociale.
“Ne po forcojmë kapacitetet tona të njësive tona të krimeve kibernetike me qëllim që ankesa e çdo qytetari të marrë përgjigje. Ne mund ta fitojmë këtë betejë, – tha Ministri i Brendshëm – nëse bëhemi të gjithë bashkë, për të denoncuar çdo rast, së pari në vetë aplikacionin ku kryhen. Ne thirrëm në Shqipëri drejtuesit më të lartë të TikTok, të cilëve ua bëmë të qartë se do të jemi shumë të ashpër, nëse nuk marrin masa sa i përket kontrollit të kontentit të çdo lloj materiali që është dhunë. Përmirësimet e ligjit që do të bëjmë, do ta pamundësojnë që ata të ofrojnë shërbim në Shqipëri, nëse brenda një kohe që kemi vendosur, ata të mos kenë rregulluar kushtëzimet e çdo lloj përmbajtjeje të palejuar!”
Balla theksoi gjithashtu se duhet të garantojmë një nivel sigurie ku asnjë lloj alkooli të mos shitet te ata që janë nën 18 vjeç, mos përdorimin e duhanit nën 18 vjeç./ata