Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot në një takim presidentin federal të Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

 

Kryetarja Nikolla e falenderoi presidentin Alexander Van der Bellen për marrëdhëniet të shkëlqyera e dinamike si edhe bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve tona.

 

“Me Austrinë kemi një bashkëpunimin intensiv parlamentar dhe një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar, për ngritjen në Kuvendin e Shqipërisë të Punishtes së Demokracisë, e cila po zbatohet dhe po krijon një model shume pozitiv për edukimin demokratik e qytetar të rinisë”, theksoi Nikolla.

 

Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj Austrisë për rolin shumë të rëndësishëm në suksesin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë negociatave.

 

Nikolla gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen në procesin e reformave, në veçanti të reformës në drejtësi, dhe vullnetin e Shqipërisë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e ekonomisë, rendit publik, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, krimit kibernetik, ndihmën ndaj agjencive ligjzbatuese, arsimit e formimit profesional etj.

 

Kryetarja Nikolla i shprehu presidentin Alexander Van der Bellen kërkesën për mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

 

Presidenti Alexander Van der Bellen falenderoi Kryetaren Nikolla për takimin dhe vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt BE-së si edhe mbështetjen popullore për integrimin evropian, arritjet e reformave dhe mundësitë e gjera të bashkëpunimit dypalësh në fusha si bujqësia, arsimi etj.

 

Presidenti Alexander Van der Bellen shprehu mbështetjen e Austrisë për dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e Planit Evropian, si e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetin në rajon./ATSH