Forcat izraelite pas 14 ditësh pushtimi në spitalin Al-Shifa, kompleksin më të madh shëndetësor në Rripin e Gazës u tërhoqën duke e shkatërruar plotësisht atë dhe duke lënë pas dhjetëra të vdekur.
Dëshmitarët në një deklaratë për gazetarin e AA-së, theksuan se forcat e ushtrisë izraelite u tërhoqën plotësisht nga spitali Al-Shifa dhe vendbanimet përreth tij dhe shkuan në lagjen Tel al-Hawa në jugperëndim të qytetit të Gazës.
Para tërheqjes, forcat izraelite dogjën dhe lanë jashtë shërbimit të gjitha ndërtesat e spitalit Al-Shifa, thanë dëshmitarët duke shtuar se forcat izraelite kanë shkatërruar plotësisht dhomat dhe katet e ndërtesës së kirurgjisë së spitalit, kanë djegur pjesën tjetër si dhe kanë eliminuar të gjithë produktet mjekësore duke djegur ndërtesën kryesore të pritjes (recepsionit) dhe të urgjencës.
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite dogjën departamentet e nefrologjisë, maternitetin, morgun, atë për kancerin dhe për djegiet si dhe shkatërruan ndërtesën e poliklinikës.
Duke bërë të ditur se ndodhen dhjetëra të vdekur në spitalin Al-Shifa dhe në rrugët Omar Al-Mukhtar, Izzeddin Kassam, Abu Hasira, Bekir dhe Habbush që rrethojnë spitalin, dëshmitarët shpjeguan se ushtria ka shkatërruar varrezën e përkohshme që palestinezët krijuan në spitalin Al-Shifa dhe se kanë nxjerrë trupat dhe i kanë hedhur në pjesë të ndryshme të spitalit.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë deklaruan se spitali ka mbetur plotësisht jashtë shërbimit dhe se është e vështirë që të rifillojë punën në periudhën aktuale. Ata thanë se ushtria krahas të gjitha pajisjeve mjekësore në spital ka shkatërruar dhomat e operacionit dhe të kujdesit intensiv.
Forcat izraelite më 24 nëntor 2023 u tërhoqën duke shkatërruar disa pjesë të spitalit pas një periudhe pushtimi prej 10 ditësh në spitalin Al-Shifa, kompleksin më të madh shëndetësor në Rripin e Gazës./aa