Pas ndeshjeve miqësore të Kombëtares, legjionarët kuqezi janë rikthyer pranë klubeve të tyre dhe një pjesë kanë pasur mundësinë të japin kontributin në fushën e lojës. Ivan Balliu, Jon Mersinaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Qazim Laçi, Keidi Bare, Taulant Seferi dhe Abër Hoxha janë aktivizuar menjëherë titullarë me klubet e tyre.

Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur se, “në La Liga këtë fundjavë nga minuta e parë ka luajtur vetëm Ivan Balliu. Mbrojtësi kuqezi zhvilloi një ndeshje të mirë në barazimin pa gola të Rayo Vallecano në tranfertë me Celta Vigon”.

Sipas FSHF-së, në kampionatin italian, Berat Gjimishiti dha kontributin e tij si zëvendësues në fitoren 3-0 të Atalantës ndaj Napolit. Ndërsa një pjesë e lojtarëve kuqezi që luajnë në Itali i kanë të programuara ndeshjet për të hënën.

Mirlind Daku shkëlqeu këtë fundjavë me skuadrën e tij Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi shënoi gol dhe asistoi në takimin ndaj Akhmat Grozny. Daku fillimisht shërbeu saktë për shokun e skuadrës në minutën e 12-të të pjesës së parë, ndërsa në të 35-ën shënoi një gol shumë të bukur me kokë, duke dyfishuar rezultatin. Në fund sfida përfundoi 2-1 dhe Mirlind Daku u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes me notën 8.3 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Anis Mehmeti, i cili shënoi golin e vetëm të sfidës në fitoren e Bristol City ndaj Leicester. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol me tepër vlera duke i dhënë fitoren skuadrës së tij./ata