Fëmijët e qytetit të Beratit do të kenë së shpejti një hapësirë çlodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive, të quajtur Parku Rekreativ ‘Dua të luaj’, i cili ndodhet tek Stadiumi i vjetër.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna që po kryhet për ndërtimin e këtij parku, një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në kuadër të programit “Dua të luaj”, që po zhvillohet në disa bashki.

“300 pemë, kënd lojërash, pistë vrapimi, kalçeto, fushë basketboll, fushë volejbolli, fushë tenisi, fushë padel, ambiente të gjelbra dhe stola për të pushuar. Të gjitha këto në të njëjtin vend, në Parkun Rekreativ “Dua të luaj” në Berat”, shkruan Rama.

Projekti “Dua të luaj” synon rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe dhënien e mundësisë për zhvillimin motorik të brezave të rinj.

Ky projekt konsiston në ndërtimin e këndeve që mundësojnë zhvillim të aftësive motorike të fëmijëve të moshave të ndryshme dhe që aksesohet nga të gjithë; rimodelimin apo përmirësimin e këndeve të lojërave ekzistues të degraduar, me qëllim rritjen e aksesit dhe bashkëveprimin me elementet natyrorë; si dhe krijimin e infrastrukturave të cilat ndikojnë në sigurinë për grupmoshat 0-14 vjeç, si p.sh. sinjalistikë në infrastrukturën rrugore, barriera dhe hapësira urbane rrethuese në këndet ekzistuese, etj./ata