Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi sot se Shqipëria është Shqipëria ka fituar besimin e SHBA dhe aleatëve të tjerë me përkushtimin e saj.

Në një mesazh për 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, Nikolla tha se “si një nga anëtarët më të rinj, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia si anëtare. Por varet nga përkushtimi i sinqertë për paqen”.

“Shqipëria e ka fituar besimin dhe bindjen e SHBA dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin e qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve”, tha Nikolla.

Më 1 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit, që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit./ata