Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj shprehu sot mirënjohjen për të gjithë 539 aplikantët që kanë treguar besim ndaj skemës “Grant 2024” të financuar nga qeveria Shqiptare.

“Përkushtimi juaj i palëkundur ndaj përparimit të sipërmarrjes është vërtet i lavdërueshëm”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se, faza tjetër e rëndësishme përfshin procesin e vlerësimit.

“Ky proces është krijuar për të vlerësuar meritën, qëndrueshmërinë dhe ndikimin e mundshëm të secilit projekt. Qëllimi ynë nuk është vetëm të shpërblejmë pjesëmarrjen, por të nxisim një ekosistem ku idetë dhe startup-et transformuese mund të rriten dhe të bëjnë një ndryshim të qëndrueshëm”, shtoi Ibrahimaj.

Ndërkohë, vijoi ajo, “që presim me padurim rezultatet e këtij vlerësimi gjatë muajit në vijim, kemi besim se projektet e përzgjedhura do të shfaqin talentin, kreativitetin dhe shpirtin e jashtëzakonshëm të sipërmarrjes që Shqipëria ka për të ofruar.

Ministrja ftoi qytetarët të ndjekin për më shumë informacione, ndërsa, theksoi ajo, “ne nisim këtë udhëtim emocionues së bashku, duke formësuar të ardhmen e sipërmarrjes dhe inovacionit në vendin tonë”./ata