Më datë 22 prill do të nisë kursi i gjashtë për videoanalistë futbolli, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ky kurs do të jetë i ndarë në dy periudha, më konkretisht 22-24 prill; 29 prill-2 maj dhe do të zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nën drejtimin e përgjegjësit të videoanalizës në FSHF, Alarico Rossi.

Video-analisti i futbollit mbledh, analizon dhe përpunon të gjithë informacionin e nevojshëm për punën e skuadrës, të trajnerëve e të drejtuesve. Në botën e futbollit ky profesion po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm, aq sa çdo trajner në stafin e tij ka një videoanalist, ndërsa skuadrat më të mira në botë kanë të paktën dy.

Këtë sezon kursi për videoanalistë futbolli, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit do të paraqesë disa veçori të reja. Drejtuesi kryesor do të jetë përgjegjësi i videoanalizës në FSHF, Alarico Rossi. Në këtë kurs do të japin kontributin e tyre edhe videoanalistët e ekipeve Kombëtare të moshave, Endi Çuçi, Xhoen Tugu, Klajdi Kenga dhe Martin Lulgjuraj, që e kanë nisur këtë profesion pas përfundimit të kursit në FSHF. Ky grup lektorësh do të sjellë për të gjithë kursantët jo vetëm konceptet bazë të kursit të video-analistit, por edhe përvojat personale.

Të ftuar specialë do të jenë edhe videoanalistët që punojnë në klubet e kampionatit “Abissnet Superiore”, të cilët do të ndajnë me kursantët eksperiencën e tyre dhe do të tregojnë se si teknologjia është një element thelbësor në futbollin modern.

Pjesë e kursit do të jenë edhe Erjon Meta, Përgjegjësi i Sektorit të Portierëve në FSHF dhe Iris Selimi, Përfaqësuesi i Sektorit të Përgatitjes Atletike, të cilët do të ndajnë me kursantët rëndësinë e punës në grup.

Për t’u bërë pjesë e kursit të video-analistit nuk nevojitet ndonjë kusht specifik, vetëm pasion për futbollin, njohuri bazike mbi teknologjinë dhe çdo kandidatë duhet të plotësojë disa kritere;

  1. a) Mosha minimale 18 vjeç, e plotësuar në datën e afatit të aplikimit
  2. b) Diploma e Shkollës së Mesme
  3. c) Aktivitetin që ju ushtroni
  4. d) Numër kontakti
  5. e) Fotokopje e ID ose e Pasaportës

Kërkesa për regjistrim duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën [email protected], përmes postës së zakonshme me konfirmim marrjeje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 18.04.2024 dhe aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Për çdo informacion në lidhje me aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni tek adresa e postës elektronike [email protected]./ata