Shqipëria e vajzave regjistroi një triumf fantastik në ndeshjen e dytë ndaj Ishujve Faroe e vlefshme për turneun “Visit Malta Trophy”.

Vajzat kuqezi fituan në stadiumin “Tonny Bezzina” me rezultatin e thellë 3-0 dhe bindën me lojë dhe rezultat.

Lajmi bëhet i ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit në faqen zyrtare.

Trajneri Armir Grima e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Ishujve Faroe: Antigona Hyska (GK), Arbiona Bajraktari, Sara Maliqi, Alma Hilaj, Armera Tukaj, Ezmiralda Franaj (C), Matilda Gjergji, Luçije Gjini, Fortesa Berisha, Eriola Deliaj dhe Arbenita Curraj.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Shqipërinë që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 8-të me Fortesa Berishën.

Edhe në minutat në vijim vajzat kuqezi dominuan lojën por pa mundur të shënonin sërish.

Në fraksionin e dytë, Shqipëria realizoi edhe dy gola të tjerë. Fillimisht në minutën e 61 me Djellza Istrefajn, e cila u aktivizuan në pjesën e dytë.

Ndërsa pesë minuta më vonë Armera Tukaj shënoi edhe golin e tretë duke vulosur përfundimisht fitoren ndaj Ishujve Faroe.

Deri në fundin e sfidës trajneri Armir Grima kreu disa zëvendësime duke i dhënë mundësinë të gjitha vajza për t’u aktivizuar në këtë turne.

Shqipëria e vajzave zhvilloi dy ndeshje në turneun “Visit Malta Trophy” dhe regjistroi një humbje ndaj Bjellorusisë dhe një fitore ndaj Ishujve Faroe./ata