Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, njëherësh drejtuese politike e PS e qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, në takimin falënderues me qytetarët e Gjirokastrës ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, tha se, “është një zemër e madhe qarku ynë, është një dashuri Gjirokastra që ka treguar gjithmonë se si, kur jep idenë, vizionin, siç e ka dhënë PS, di të të japë vepra projekte dhe shumë mbështetje”.

 

“Sot është vetëm fillimi i thënies faleminderit. Faleminderit për mbështetjen në gjithë këto vite, faleminderit për rezultatin që kemi dhënë. PS ka treguar se transformimin e madh nuk e kemi thjesht fushatë, por punë të përditshme, falë një skuadre të jashtëzakonshme”, tha Kumbaro.

 

Kumbaro u shpreh se, “falë edhe atyre që nuk dalin të bërtasin, nuk dalin në takime, në mitingje dhe që nuk janë këtu sot, por e dinë shumë mirë si është përkthyer në mirëqenie, në punë, por sidomos në mbështetje për çdo banor të këtij qarku, çdo investim dhe program që ka bërë qeveria e PS dhe Edi Rama”.

 

“Me votën që u dha për Golemin dhe 6 kryetarët e bashkive, ne treguam nuk është se jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë, por jemi të uritur të vazhdojmë përpara me projekte”, theksoi Kumbaro.