Terapia është kyç për fëmijët me autizëm, duke u dhënë atyre mundësinë për të përmirësuar aftësitë dhe njohur potencialin e tyre të plotë.
 
Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Zyra e BE-së në Tiranë, ndau në rrjete sociale foto nga Qendra Komunitare për Shërbimet ndaj Aftësisë së Kufizuar në Përrenjas, financuar nga BE, ku stafi i kësaj qendre, bën një punë të specializuar për fëmijët me aftësi ndryshe.
 

Qendra e ngritur vitin e fundit, është një hapësirë e dizenjuar për të ofruar shërbime të specializuara në logopedi, fizioterapi dhe terapi zhvillimi për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara të kësaj zone.

“67 fëmijë nga 2 deri në 18 vjeç marrin terapi në Qendrën Komunitare në Përrenjas, duke përfshirë tre njësi administrative si Strava, Rrajca dhe Quksi. Një herë në javë fëmijët vijnë në Qendër dhe javën tjetër udhëtojmë në shtëpitë e tyre. Disa prej tyre janë në zona të largëta, ndaj ne përpiqemi të krijojmë një ekuilibër për ta. Ne punojmë me terapi zhvillimore, fizioterapi dhe logopedi”, shpjegon Adelina Kokonozi, punonjëse sociale në Qendrën Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar në Prrenjas.

Që nga hapja e Qendrës Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar vitin e kaluar, shumëçka ka ndryshuar për qytetin e vogël, së pari duke ndihmuar në ndërgjegjësimin e personave me nevoja të veçanta dhe duke i bërë ata të dukshëm. Fëmijët me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre takohen me njëri-tjetrin në Qendrën Komunitare, duke folur dhe diskutuar për sfidat e tyre.

Bashkia Përrenjas është bashkëzbatuese e këtij projekti dhe vënia në funksion e qendrës ka ndikuar pozitivisht tek fëmijët./ata