Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, qeveria miratoi vendime të rëndësishme për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin e NATO-s në Mesdhe dhe në Sinai të Egjiptit.

 

Pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi tha se, katër projektvendime të iniciuar nga Ministria e Mbrojtjes janë miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

 

“Dy prej tyre ishin miratimi për pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare. Projektvendimi i parë është për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin e NATO-s në Mesdhe, ku ne do të marrim pjesë me një anije ushtarake dhe 21 vetë personel ushtarak nga Forcat Detare. Misioni i dytë është në kuadër të Forcave Shumëkombëshe të vëzhgimit në Sinai të Egjiptit. Bëhet fjalë për tre oficer të Policisë Ushtarake që do të jenë pjesë e këtij misioni”, tha ai.

 

Peleshi shtoi se, sot Shqipëria është aktive në shtatë misione ndërkombëtare kryesisht në NATO, por edhe të Kombeve të Bashkuara dhe BE-së

 

“Jemi nga vendet më aktive në operacione dhe misione ndërkombëtare sepse duam, jo vetëm të përfitojmë nga aleanca më e fuqishme politike dhe ushtarake në botë, NATO, por edhe të kontribuojmë”, tha ai./ATSH