Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar sot 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

Në një postim në rrjetet sociale, Begaj shprehet: “sot një çerekshekulli nga masakra e Reçakut, të lutemi për shpirtin e civilëve të pafajshëm, viktima të genocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviç në Kosovë”.

Kreu i Shtetit theksoi se 15 janari 1999, zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare që kryheshin në Kosovë.

“Kjo kujtesë sot është motiv i fortë për të mbrojtur paqen, sigurinë, lirinë e dinjitetin njerëzor nga çdo makineri dhune që ushqehet nga racizmi, ekspansioni dhe armiqësia ndaj tjetrit”, është shprehur presidenti Begaj.

Presidenti e ka shoqëruar postimin e tij me një foto nga ceremonia e dekorimit të ambasadorit amerikan William Walker një vit më parë  me medaljen më të lartë ‘Kalorësi i Urdhrit të Flamurit’, me motivacionin: “Me mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, demokracinë dhe lirinë e popullit të Kosovës si dhe për denoncimin e genocidit serb në Reçak.”/ata