Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në çeljen e Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë Shqiptare

Në fjalën e tij Rama theksoi se, “ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania””.

“Për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për t’iu përgjigjur këtij niveli të ri të angazhimit që ne kemi në bazë të vizionit tonë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2030, një strategji e re ushtarake dhe një plan i ri i zhvillimit afatgjatë të Forcave të Armatosura janë tanimë gati dhe do t’i nënshtrohen procesit të ligjvënies në Kuvend”, tha Rama.

Ndërkohë që, shtoi kreu i qeverisë, “po përgatisim edhe platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake”.

“Një platformë që sot është koha për ta përfshirë në gjithë trupin legjislativ të Republikës të Shqipërisë dhe pastaj mbi të, për të nisur një valë investimesh në industrinë e mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë një vend që, jo vetëm konsumon atë që taksapaguesit japin në aspektin e mbrojtjes, që jo vetëm vë në dispozicion të Forcave të Armatosura instrumente, mjete, armë të importuara, por edhe që përmes industrisë së mbrojtjes nxjerr fitime të cilat shkojnë në funksion të mbrojtjes përsëri dhe përmes industrisë së saj ushtarake, arrijnë që të furnizojë me prodhime të këtushme sigurisht në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze të vendeve aleate, nevojat e Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Rama.

“Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’”, nënvizoi më tej Rama.

“Për këtë jemi me fat për hir të së vërtetës sepse jemi një vend i vogël, po kemi aleatë të mëdhenj. Vendet më të përparuara në industrinë e mbrojtjes sot në botën demokratike janë, jo vetëm të gatshme, por dhe të interesuara t’i shikojnë sipërmarrjet e tyre të zhvillojnë bashkëpunime me shtetin shqiptar dhe nga ana tjetër, e gjithë qasja jonë e re në aspektin e këtyre bashkëpunimeve, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, është që shteti duhet të jetë partner, shteti duhet të jetë ortak, shteti duhet të jetë aksioner dhe nga gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike, shteti duhet të marrë pjesën e tij. Kjo është qasja jonë të cilën na e mundëson kjo kohë që kemi sjellë për hir të së vërtetës”, tha Rama./ata