Liria e medias, mbrojtja e gazetarëve, e drejta për informim, pavarësia mediatike dhe luftimi i dezinformimit ishin fjalët kyçe të ditës së sotme ndërsa gazetarë dhe aktorë të tjerë u takuan sot në Tiranë për të diskutuar rreth përmirësimit të mjedisit mediatik për gazetarët shqiptarë.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato nënvizoi se, liria e medias ka një rol jetik në shoqëritë tona dhe inkurajoi Shqipërinë të shfrytëzojë momentin aktual në procesin e integrimit në BE për të bërë përparim cilësor në fushën e lirisë së medias dhe asaj të shprehjes.

Në përvjetorin e pestë të Faktoje.al, organizatës së parë të kontrollit të fakteve në Shqipëri, të cilën BE e ka mbështetur që në fillimet e saj, u theksua rëndësia e të menduarit në mënyrë kritike në dallimin e fakteve nga manipulimi i informacionit.

“BE do të vazhdojë të fuqizojë kulturën e kontrollit të fakteve në Shqipëri, paralelisht me përpjekjet për të promovuar edukimin mediatik dhe mbështetjen e medias së pavarur”, tha ambasadori Gonzato./ata