Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, përmes një rezolute të miratuar të dielën siguron opinionin dhe partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj për të çuar përpara përpjekjet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale, duke mbështetur organet e reja të drejtësisë.

Në një njoftim për mediet, PD thekson se Reforma në Drejtësi po jep rezultate, çka ka sjellë dhe bashkimin e votave mes mazhorancës socialiste dhe disa deputetëve të zgjedhur me votën e opozitës, për të dekurajuar punën e organeve të reja të drejtësisë.

“Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e mbledhur sot me datë 7 prill 2024, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore, nën dritën e zhvillimeve më të fundit politike dhe institucionale, konstaton se: Reforma në drejtësi është duke dhënë rezultatet e para konkrete inkurajuese në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë”.

“SPAK dhe GJKKO gëzojnë sot mbështetjen më të lartë dhe besimin më të madh publik; Për këto shkaqe Partia Socialiste dhe disa deputetë të zgjedhur me vota opozitare, janë bashkuar në akte parlamentare, të realizuara në mungesë të plotë të transparencës , si një përpjekje për të dekurajuar këto arritje, si dhe krijimin e një atmosfere politike që trysnon organet e reja të drejtësisë”, thuhet në rezolutë.

Partia Demokratike thuhet në rezolutë i konsideron kërcënim për demokracinë dhe rendin ligjor, bashkimin e votave për të për të amnistuar veprat penale të korrupsionit dhe sinkronizimin e qëndrimeve kundër SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë si sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke rrëzuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, tentativën për mbajtjen në fuqi të sistemit të listave të mbyllura dhe përjashtimi nga e drejta e votës të shtetasve shqiptarë në diasporë.

“Partia Demokratike shpreh me forcë angazhimin e saj të palëkundur për: Forcimin e institucioneve demokratike; Vendosjen e barazisë përpara ligjit si parim themelor kushtetues; Ndarjen e pushteteve, si garancia kryesore e një qeverisjeje të mirë dhe transparente; Mbështetjen e pakushtëzuar dhe pa rezerva për sistemin e drejtësisë, në përpjekjet kurajoze për rivendosjen e ligjshmërisë dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë;  Një Sistem Zgjedhor që siguron garën e hapur, barazinë e votës dhe votën e diasporës, duke i qëndruar me vendosmëri propozimeve tona për: Lista të hapura; Shqipëria një zonë zgjedhore; Mundësimi i votimit të diasporës; Votimi dhe numërimi elektronik”, thuhet në rezolutë

“Partia Demokratike siguron opinionin publik se do të ndërmarrë çdo hap në mbrojtje të këtyre parimeve demokratike. Partia Demokratike i rikonfirmon partnerëve ndërkombëtarë angazhimin e saj politik për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale”, përfundon deklarata e kryesisë së PD./ata