Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani deklaroi sot se, “vlerat e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara së bashku nga vlerësimi i kryer për vitin 2023 përllogaritet në 41 milionë euro”.

Në seancën dëgjimore sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Dumani tha se, “SPAK i ka vënë një rëndësi të veçantë luftës kundër pastrimit të produkteve të veprës penale, duke ndjekur qasjen se pothuajse për çdo procedim penal, krahas hetimeve në drejtim të provueshmërisë së akuzës kryhen dhe hetimet pasurore financiare me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale”.

“Strategjia e ndjekur për masat e përdorura kundër produkteve të veprës penale, shtrihen në tre dimensione, konfiskimi i produkteve të veprës penale, konfiskimi i vlerës ekuivalente dhe masat e sekuestrimit dhe konfiskimit me anë të ligjit antimafia”, tha ai.

Dumani shtoi se, “kjo qasje ka dhënë rezultate mjaft pozitive, në të cilat vlerat e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara së bashku nga vlerësimi i kryer për vitin 2023 përllogaritet  prej 41 milionë euro, nga të cilat 54% e zënë pasuritë e konfiskuara në vlerën 22.5 milionë euro dhe 46% e zënë pasuritë e sekuestruara me vlerën 19 milionë euro”.

“Gjatë vitit 2023, SPAK ka regjistruar një numër relativisht të lartë të procedimeve penale të reja me një tendencë rritje. kështu janë regjistruar 201 procedime penale për korrupsionin, 85 procedime për krimin e organizuar dhe 13 procedime penale për terrorizëm”, tha Dumani.

“Në vitin 2023 në total dallohet një rritje e regjistrimit të procedimeve penale të reja në masën 60% në krahasim me vitin paraardhës. Nga ana tjetër, ka një përmirësim të dukshëm edhe në qasjen proaktive të hetimeve të ndërmarra nga SPAK, në të cilën janë përdorur të gjitha teknikat e posaçme të hetimit”, theksoi Dumani.

Ai tha se, një element i veçantë i është kushtuar hetimeve të nisura kryesisht, interceptimit të pajisjeve fundore, kërkesave për ndihmë juridike të dërguara njësive ligjzbatuese jashtë vendit dhe ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore.

“Në vitin 2023 janë regjistruar 67 procedime kryesisht, nga të cilat 28 procedime janë regjistruar për veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe 39 procedime janë regjistruar në kuadër të krimit të organizuar. Në total krahasimit me vitin 2022 ka një rritje të konsiderueshme të hetimeve të nisura kryesisht me 139 %”, u shpreh Dumani./ata