Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot historinë e Daniel Kazanit, themelues dhe CEO i Softup Technologies në Mynih të Gjermanisë.

Balla theksoi se Kazani është një prej shembujve të shkëlqyer të shqiptarëve që shkëlqejnë me arritjet dhe profesionalizmin e tyre.

“Daniel Kazani është themelues dhe CEO i Softup Technologies, një kompani prodhimi software dhe aplikacione të bazuara në Inteligjencë Artificiale. Ai jeton mes Mynihut e Tiranës dhe shembulli i shkëlqyer i shqiptarëve që shkëlqejnë me arritjet dhe profesionalizmin e tyre”, u shpreh Balla.

Ndërsa Kazani, në një video të ndarë nga ministri, u shpreh se, “jemi rreth 50 veta, një pjesë në Mynih, një pjesë në Shqipëri dhe kemi klientë si Autoscout, Immoscout, Payone, Worldline nga klientët më të mëdha në Evropë dhe zhvillojmë softuerë këtu në Gjermani edhe pse ekipin e kemi në Tiranë, një ekip me ҫuna dhe goca të reja që kanë ambicie”.

“Po bëjmë vërtetë një diferencë në tregun gjerman. Edhe pse kemi më pak se 6 vite në treg jemi goxha të stabilizuar dhe kemi pasur goxha sukses dhe shpresoj të vazhdojmë kështu siҫ jemi deri tani”, u shpreh ai./ata