vMinistrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha sot se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura synojnë të garantojnë një ekuilibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik, duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin.
Në interpelancën për ligjin e zonave të mbrojtura sot në Kuvend, e kërkuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa, Kumbaro theksoi se “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konstaton se, pavarësisht se shumë zona të mbrojtura në vendet e Bashkimit Evropian administrohen nga bashkitë dhe administratat vendore rajonale, Shqipëria duhet të vijojë ta mbajë të përqendruar te Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin e këtyre zonave, gjë që tashmë ligji i amenduar e garanton”.
Më tej Kumbaro solli disa shembuj konkretë. “Andi nga Gjinari ka një objekt, shtëpinë e tij njëkatëshe, të cilën donte ta rikonstruktonte për ta kthyer në bujtinë, brenda pronës së tij. Për shkak të përcaktimeve ligjore të ligjit ekzistues të zonave të mbrojtura, projekti i tij, mjaft i këndshëm por edhe i dobishëm për fshatin, mori përgjigje negative nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Një tjetër projekt, “Kompleks agroturizmi 1 kat me çati” në njësinë administrative Novoselë në Vlorë, që do të tërhiqte turistë të natyrës dhe do të krijonte punësim për fshatarët e zonës, mori sërish përgjigje negative nga AKZM, në zbatim strikt të ligjit që parashikonte vetëm pak fjali për të rregulluar situata të panumërta që nuk gjejnë rregullim adekuat, në mospërputhje edhe me planet vendore, edhe me zonat e paracaktuara bujqësore apo turistike”, nisi fjalën e saj Kumbaro duke dhënë disa shembuj të ngjashëm, ku për shkak të boshllëqeve ligjore në ligjin e mëparshëm të zonave të mbrojtura, bllokohej zhvillimi i komuniteteve dhe krijoheshin situata të vështira në terren”, tha Kumbaro.
Ky problem, vijoi Kumbaro, shfaqet më së shumti në bashki që kanë një territor shumë të madh pjesë të zonave të mbrojtura, nga Pusteci, që është 100% zonë e mbrojtur, deri te Përmeti, Pogradeci, Vlora, Gjirokastra apo Mati, ku zonat e mbrojtura zënë nga 10% deri në 80% të territorit.
“Janë me dhjetëra e dhjetëra këto përgjigje negative nga ana e AKZM dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke mos i hapur rrugë jo vetëm projekteve turistike të nivelit të lartë e elitar, por as projekteve familjare të pronarëve të trojeve në bashki të ndryshme të vendit të cilët qartazi kanë identifikuar turizmin si një rrugë për zhvillimin e ekonomisë familjare”, u shpreh Kumbaro, duke sqaruar se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura synojnë të garantojnë një ekulibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin.
Sigurisht, vijoi ministrja, që ekuilibri midis konservimit të natyrës dhe jetesës njerëzore, nuk është një ekuilibër i lehtë për t’u arritur, sepse sa herë futet në lojë aktiviteti njerëzor shkakton pështjellime, por nëse ka një mënyrë se si mund ta arrijmë këtë ekuilibër është me rregulla shumë të qarta për të gjetur zgjidhje të përbashkëta se si mund të bashkëjetojmë mes kritereve shumë të forta të mbrojtjes së natyrës, por edhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.
“Këtë bën ligji i ri i amenduar! Dhe filtrat që parashikon ligji në mbrojtje janë shumë të qartë, që nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, te Këshilli Kombëtar i Territorit, roli i të cilit ishte dhe në ligjin pararendës, dhe deri te Vendimet e Këshillit te Ministrave si shkallë dhe garanci të masave të duhura në mbrojtje dhe të garantimit të ndërhyrjeve që lejohen vetëm në funksion të mjedisit dhe të projekteve të turizmit elitar dhe miqësore me mjedisin”, tha Kumbaro.
Në vijim të fjalës së saj, ministrja Kumbaro përmendi edhe gjithë vendimet e mazhorancës që ndër vite e kanë rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit të Shqipërisë.
“Është kjo mazhorancë politike që vendosi kritere dhe kontroll në mbrojtje të territorit, është kjo qeveri që, në vijim të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit të vitit 2020, duke nisur nga janari i vitit 2022 i dhamë për herë të parë Vjosës statusin e zonës së mbrojtur për ta shpallur në atë kohë Park Natyror; luginën e Shalës po ashtu e bëmë pjesë për herë të parë të zonave të mbrojtura me statusin Park Natyror; bashkuam Thethin, Valbonën, Lumin e Gashit duke krijuar Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, nga Shkodra e Malësia e Madhe deri në Tropojë, me një sipërfaqe të dyfishuar; shpallëm Malin e Munellës Park Natyror; Syrin e Kaltër po ashtu nga thjesht monument natyre, i dhamë statusin e Parkut Natyror të gjithë zonës duke e zgjeruar përreth në një sipërfaqe 290 hektarë; Po kështu u zgjerua Parku Natyror i Ulzës; Parku Natyror i Zagorisë që më parë nuk ka qenë fare zone e mbrojtur. Pra për ta thënë shkurt, u rrit sipërfaqja e zonave të mbrojtura nga 17,5% në 21,5% të territorit të Shqipërisë, me 12 Parqe Kombëtare, 718 Monumente Natyre, 23 Parqe Natyrore. Dhe arsyeja se përse po i përmend shumë shkurtimisht, është vetëm për të kujtuar se mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe vijon të jetë vizion i kësaj qeverie, është vullnet, është ekspertizë dhe sigurisht është guxim. Sepse nuk është e lehtë që, në një vend të vogël si Shqipëria, me nevoja të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik e punësim dhe me plagë të rënda sociale për shkak të kusureve të historisë, të mbrosh zona të tëra natyrore. Ky është vizion drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe një shenjë emancipimi e maturie shoqërore e politike e vendit”, tha Kumbaro.
Sa i takon ligjit, Kumbaro sqaroi se është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN), ku Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në vitin 2024.
“Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës, për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit”.
Në fund të fjalës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro kishte një mesazh për opozitën.
“Juve s’kemi ç’t’ju bëjmë, kur s’jeni të bindur e s’e dini as ju pse s’jeni, madje edhe kur doni të bindeni, nuk dini as se kujt duhet t’i bindeni. Nga unë keni thjesht mirëkuptim për hallin, po nuk jua zgjidhim dot ne. Sa ta zgjidhni ju mes vedi, ne do vazhdojmë të punojmë fort, të ecim shpejt, dhe vizionin e Shqipërisë turistike, Shqipërisë së gjelbër, dhe Shqipërisë kampione të Ballkanit të vitit 2030, nuk e lëshojmë! Neve na qoftë rruga e mbarë për të mirën e popullit shqiptar dhe juve u vaftë mbarë, sa të gjeni kush do bëjë çfarë për të mirën e demokracisë shqiptare”, përfundoi fjalën e saj Kumbaro në interpelancën e thirrur për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura./ata