Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi sot se, “ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë janë regjistruar për herë të parë në vitin 2023, 8 procedime penale me 18 persona në hetim”.
Në seancën dëgjimore sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Dumani tha se, “në lidhje me interceptimet, në 109 procedime për veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe 77 procedime për krimin e organizuar janë përdorur interceptimet. Në total ka një rritje prej 91% të interceptimit të pajisjeve fundore”.
“Vetëm gjatë vitit 2023 janë ngritur 10 skuadra të reja të përbashkëta hetimore. Ndërkohë që hetimet vijojnë ende me 25 skuadra të përbashkëta hetimore të ngritura në periudhat paraardhëse. Për këtë vit ka një rritje me 95% të kërkesave për ndihmë juridike për jashtë shtetit. Skuadra të përbashkëta hetimore për vitin 2023 janë ngritur kryesisht me shtetin italian por edhe me shtete të tjera si Franca apo me shtete të vendeve nordike si dhe me shtete të rajonit si Maqedonia e Veriut apo dhe Kosova”, tha Dumani.
Dumani u shpreh se, qasja proaktive ka dhënë rezultate pozitive në luftën korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kështu, shtoi ai, “në vitin 2023, janë regjistruar gjithsej 299 procedime të reja, nga të cilat 201 procedime për veprat penale të korrupsionit me 219 persona dhe 85 procedime janë regjistruar për veprat penale në kuadër të krimit të organizuar me 160 persona dhe 13 procedime për veprat penale me qëllime terroriste”.
Dumani u shpreh se, “ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë janë regjistruar për herë të parë në vitin 2023, 8 procedime penale me 18 persona në hetim me funksion ish-ministër Shëndetësie, ish zv/ministër Shëndetësie, ish-gjyqtar Apeli, ish-kryetar bashkie, ish-ministër Finance, ish-kryeministër, ish-ministër Mjedisi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, ish-sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, kandidat për kryetar bashkie, ish-prokurore etj.”.
Dumani theksoi se, “cilësojmë për çështjet e regjistruara për veprat penale në kuadër të krimit të organizuar evidentohet një rritje me masën 8% me një rritje në masën 10% të çështjeve të dërguara në gjykatë, me kërkesë për gjykim, krahasuar me vitin 2022”.
“Ka gjithashtu një rritje prej 20% për çështjet e regjistrua për veprat penale në kuadër të korrupsionit me veprat e tjera penale krahasuar me vitin paraardhës”, tha ai./ata