Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se “Panairi Kombëtar i Punës dhe Aftësive 2024, është një iniciativë që do të shërbejë për t’i sjellë më herët të rinjtë, drejt një orientimi më të mirë për aftësitë e secilit për zhvillimin e tyre profesional dhe për t’i kthyer në aktorë të punësimit dhe tregut të punës”.

“Ky aktivitet i ofron njohuri të rinjve, jo vetëm për mundësitë e reja për të hyrë në tregun e punës por edhe për praktikat profesionale, programet dhe grante që ofrohen për aftësimin profesional të tyre”, tha Gonxhja.

Gonxhja informoi të rinjtë se, në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka 126 vende vakante dhe ftoi të rinjtë të aplikojnë dhe t’i bashkohen stafit të MEKI-së.

“Ne kemi 126 vende vakante nga të cilat 70 janë vende për specialistë të paguar shumë mirë; 32 vende për shefa sektorësh dhe ka vende vakante edhe për pozicion drejtorë. Unë ju ftoj të aplikoni, ne jemi një ministri e re dhe kemi nevojë për të rinj që kanë studiuar në fushën e teknologjisë, novacionit, ekonomisë. Kemi gati 1/3 me vende vakante”, theksoi Gonxhja.

Gjithashtu vijoi ai, qeveria ka në prioritet zhvillimin e arsimit profesional.

“Programet në mbështetje të punësimit janë në prioritet të punës tonë këtë vit. Vijoni të aplikoni për këto programe, grante e trajnime si alternativa më e mirë për të hyrë sa më shpejtë në tregun e punës”, tha ai.

Ndërsa ministrja Muzhaqi theksoi se programi kombëtar i praktikave të punës ka hyrë në zbatim dhe ka si fokus aksesin e të rinjve në administratën shtetërore. Tashmë shumë të rinj kanë përfituar nga Programi i Praktikave të Punës. “Nga kjo praktikë përfitojnë të rinjtë e sapodiplomuar të moshave 21 deri në 26 vjeç”, tha ajo./ata