Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi sot në Kuvend, projektligjin për “Amnistinë penale” nga e cila përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Po ashtu, Manja theksoi se nga amnistia përfitojnë edhe 2700 persona në shërbim prove.

Duke e konsideruar këtë një premtim të mbajtur të qeverisë, Manja u shpreh se amnistia është zbatuar si një politikë penale lehtësuese ndër vite për vepra të lehta penale në kuadër të rehabilitimit social, por edhe optimizimit të kapaciteteve në burgje.

Manja bëri fillimisht një pasqyrë të situatës në sistemin e vuajtjes së dënimit. “Kemi 5818 persona që aktualisht gjenden në institucione. Prej tyre 3158 janë të paraburgosur dhe 2204 janë të dënuar, ndërsa 458 janë nën efektin e një mase mjekësore të dhënë nga gjykata”, tha ai.

Ministri theksoi se prej këtyre, 389 persona janë për llogari të SPAK, nga të cilët 243 të paraburgosur dhe 145 të dënuar.

Sipas tij, “Shqipëria jo në rajon, por në Evropë, ka numrin më të madh të personave të dënuar me burgim të përjetshëm”.

Referuar standardeve europiane, Manja tha se numri i të paraburgosurve në raport me numrin e të dënuarve nuk duhet të kalojë mbi 30%.

“Sot mesatarja e Evropës është 28.4 % ndërkohë që Shqipëria e ka 58% numrin e të paraburgosurve në raport me të dënuarit. Pra nga 2204 të dënuar po t’i referohemi mesatares së Europës duhet të kishim 661 persona të paraburgosur, ndërkohë që kemi 2497 të paraburgosur mbi standardet e BE-së”, tha Ministri.

Ai theksoi se në një situatë normale, për trajtimin e të paraburgosurve dhe mbajtjen e tyre shteti do të harxhonte mbi 8.6 milionë euro.

“Ne i marrim buxhetit të shtetit ekstra 24.2 milionë euro referuar kostos së trajtimit të tyre, që është 36.5 euro në ditë. Në total ne kemi 10 struktura të vuajtjes së dënimit që plotësojnë standardet e BE-së, ndërsa 10 të tjera janë të trashëguara dhe duhet të mbyllen deri në vitin 2030”, tha ai.

Në këtë drejtim, Manja theksoi se amnistia përveç parimeve të humanizmit ka si qëllim edhe uljen e mbipopullimit në sistem dhe krijimin e kushteve optimale për trajtimin e pjesës tjetër.

Ministri nënvizoi se nga kjo amnisti nuk do të përftojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, personat që i shmangen drejtësisë dhe personat e dënuar nga GJKKO.

“Nga amnistia do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. Kjo shtyrje e afatit është pjesë e amendamentit të propozuar nga Gazment Bardhi. Po ashtu përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite. Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç”, tha ai.

Manja theksoi se amnistia shtrin efektet në vetëm 5% të veprave penale që ka Kodi Penal, ndërsa 95% të veprave të tjera nuk do të jenë në efektet e amnistisë.

“Kemi pranuar propozimin e bërë me amendamentin e e opozitës që ulja e dënimit të shkojë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Për vepra të lehta penale amnistia shtrihet vetëm për kundravajtjen penale që është 2 vjet. Nga ndjekja penale me këtë amnisti do të përjashtohen të gjitha kallëzimet për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31 mars 2024. Pra, për protestuesit e opozitës pa dallim ndarje në kohë, për një kategori veprash penale do të kemi pushim të ndjekjes penale në çdo fazë të hetimit apo gjykimit. Janë 232 procedime penale të protestuesve”, tha ai.

Manja theksoi se amnistia ka në vëmendje gratë dhe të miturit.

“Kemi aktualisht 42 gra të dënuara dhe 27 të mitur dhe 31 gra janë me masë mjekësore. Nuk është i madh numri i grave që përfitojnë nga amnistia me lirim të menjëhershëm, janë 11 gra. Ndërsa nga ulja e dënimit përfitojnë një numër i konsiderueshëm grash të cilat deri në shtator të këtij viti do të lirohen. Nga amnistia përfitojnë 11 të mitur që lirohen menjëherë”, tha Manja./ata