Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se 31 mjete transportuese të konfiskuara në rastin e sulmit terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, tashmë i janë dhënë për shfrytëzim Policisë së Kosovës.
Ministrja Haxhiu gjatë një prononcimi në hollin e Kuvendit gjatë kohës kur po mbahet seancë plenare, ka thënë se këto mjete do të përdoren për nevojat e institucionit të Policisë së Kosovës.
"Para pak kohësh, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar apo të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhet me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, rasti Banjska, pra, sulmin terrorist në territorin e Republikës së Kosovës ku si pasojë është vrarë një polic. Janë 31 mjete transportuese të cilat janë të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat ajo i ka", theksoi Haxhiu.
Tutje, Haxhiu përmendi edhe pasuritë tjera të sekuestrua që lidhen me rastin në Banjskë dhe me organizatorin e saj Milan Radoiçiq, ku tha se legjislacioni në fuqi nuk lejon që në këtë fazë të sekuestrimit ato t’i jepen policisë në shfrytëzim, por do të mundësohet një gjë e tillë pas vendimit të gjykatës.
"Unë i bashkohem thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit të Republikës së Kosovës që rasti në Bansjkë të trajtohet me prioritet dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse. Për ne është e habitshme se ende nuk ka një aktakuzë nga Prokuroria për këtë rast, kur tashmë dihen emrat e terroristëve, emrat e kriminelëve që kanë udhëhequr këtë sulm terrorist", theksoi Haxhiu.
Haxhiu shtoi se pjesëmarrësit e sulmit terrorist në Basnjkë tashmë janë edhe në listën e INTERPOL-it por theksoi se "nuk presim që Serbia të reflektojë për këtë rast".
Më 24 shtator 2023 në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, në Banjskë të Komunës së Zveçanit, një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Milan Radoiçiq. Ai ishte arrestuar e më pas liruar nga autoritetet serbe, derisa vazhdon të jetë i lirë, edhe pse është në listën e kërkimit të INTERPOL-it./aa